Shtetet e Bashkuara do të ndihmojnë Haitin për hetimin e vrasjes së presidentit

Amerika

Shtetet e Bashkuara do të ndihmojnë Haitin për hetimin e vrasjes së presidentit

Më: 9 korrik 2021 Në ora: 20:48
Jen Psaki

Një ditë pas vrasjes së Presidentit të Haitit, Jovenal Moise, Shtetet e Bashkuara thanë se do t’u përgjigjen pozitivisht kërkesave për të ndihmuar në hetimin e sulmit. Ekspertët thonë se Shtetet e Bashkuara duhet t’i rezistojnë tundimit për të ndërhyrë ushtarakisht në Haiti, siç ka ndodhur gjatë trazirave në të kaluarën.

Policia e Haitit vrau katër “mercenarë” dhe arrestoi disa të tjerë, për të cilët policia thotë se janë përgjegjës për sulmin e të mërkurës që vrau Presidentin Jovenal Moise dhe plagosi bashkëshorten e tij në banesën e tyre private. Policia thotë se anëtarët e tjerë të skuadrës komando janë ende në kërkim. Ajo nuk tha se cili ishte motivi i sulmit që ka shtyrë vendin e varfëruar në trazira politike.

Në Uashington, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, tha se Shtetet e Bashkuara do dërgojnë ndihmë, ndoshta në formën e strukturave të zbatimit të ligjit.

“Jemi në dijeni të kërkesës për ndihmë hetimore nga Policia Kombëtare e Haitit, dhe Shtetet e Bashkuara po përgjigjen”, tha ai.

Në Shtëpinë e Bardhë, sekretarja e shtypit Jen Psaki tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin institucionet demokratike në Haiti.

“Është pikëpamja jonë dhe ne vazhdojmë të bëjmë thirrje për organizimin e zgjedhjeve që duhet të zhvillohen këtë vit. Dimë se zgjedhjet e lira dhe të ndershme do të mundësonin transferimin e pushtetit tek një president i ri dhe sigurisht që vazhdojmë të mbështesim institucionet demokratike të Haitit”, tha ajo.

Sidoqoftë, Haiti gjendet tashmë në një vakum politik, pa president, pa kryeministër dhe pa një parlament funksional. Siç shpjegon për Zërin e Amerikës eksperti për Haitin, Brian Concannon, Kryeministri në detyrë Claude Joseph ka shpallur gjendjen e shtetrrethimit.

“Justifikohet si mënyrë për të kapur vrasësit dhe duhet të zgjasë dy javë. Por, mund të rinovohet dhe i lejon policisë dhe të tjerëve, të kryejnë bastisje pa urdhër gjykate, gjë që është sigurisht shqetësuese. Gjithashtu, kufizon qarkullimin, është në thelb një shtetrrethim për dy javë, dhe shoqërohet me masa të gjera në kuadrin e të cilave mund të abuzohet. I mundëson policisë të bëjë gjithçka të nevojshme për të ndjekur vrasësit”, thotë ai.

Zoti Concannon thotë se Shtetet e Bashkuara kanë një histori të gjatë ndërhyrjesh ushtarake në Haiti, por duhet t’i rezistojnë tundimit për të dërguar forca ushtarake në boshllëkun e krijuar.

“Ndërhyrja më e fundit e Shteteve të Bashkuara ishte në vitin 2004, dhe u pasua nga një mision paqeruajtës i OKB-së që qëndroi në Haiti për 14 vite. U harxhuan 17 miliardë dollarë. Në përfundim (të misionit), kishte më shumë armë dhe më pak demokraci në Haiti se përpara ndërhyrjes. Ushtarët e OKB-së sollën kolerën në Haiti, e cila mori jetën e 10 mijë personave. Ata u përfshinë në veprime shfrytëzimi dhe abuzimi të gjerë seksual”, thotë zoti Concannon.

Ndërsa autoritetet në Haiti përpiqen të gjejnë përgjegjësit për vrasjen, sulmi ka krijuar më shumë pasiguri për qytetarët, të cilët janë duke vuajtur pasojat e inflacionit të lartë dhe dhunës në rritje nga bandat./VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat