Presidenti Biden shpall masat e reja për frenimin e COVID-19

Amerika

Presidenti Biden shpall masat e reja për frenimin e COVID-19

Më: 30 korrik 2021 Në ora: 15:25
Joe Biden

Ndërsa varianti Delta i virusit që shkakton COVID-19 përhapet me shpejtësi në të gjithë vendin, Presidenti amerikan Joe Biden ka njoftuar se punonjësit civilë të qeverisë federale duhet të vaksinohen ose t'i nënshtrohen testimeve të rregullta dhe të mbajnë maska. Po ashtu mbajtja e maskës do të kërkohet për të gjithë punonjësit dhe vizitorët në shumë ndërtesa federale.

Presidenti Biden foli të enjten nga Dhoma Lindore e Shtëpisë së Bardhë.

"Me vendimin tim, nën drejtimin tim, i gjithë personeli federal dhe vizitorët në ndërtesat federale do të duhet të bëjnë të njëjtën gjë. Siç e kam thënë që në fillim, mbajtja e maskës nuk është deklaratë politike, ka të bëjë me mbrojtjen e vetes dhe mbrojtjen e të tjerëve. Maska është mbrojtje kundër përhapjes së COVID-19. Por nuk ka dyshim që vaksinat janë mbrojtja më e mirë kundër sëmundjes së rëndë nga COVID-19 ", tha Presidenti Biden.

Qeveria federale punëson më shumë se 4 milionë amerikanë, përfshirë mbi 2 milionë punonjës civilë federalë, thuhet në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë.

Të njëjtat standarde do të zbatohen për kontraktorët federalë, shtoi zoti Biden.

Presidenti tha gjithashtu se po i kërkon Departamentit të Mbrojtjes të shqyrtojë se si dhe kur ta shtojë vaksinën e Covidit në listën e vaksinave të detyrueshme për personelin e ushtarak.

Sindikatat që përfaqësojnë punëtorët federalë po tregohen të përmbajtur anë reagimet e tyre.

"Ne presim që hollësitë e çdo ndryshimi në kushtet te punës, përfshirë ato që lidhen me vaksinat COVID-19 dhe protokollet e lidhura me to, të negociohen siç duhet me njësitë tona para se të zbatohen," tha Everett Kelley, kreu i Federatës Amerikane të Punonjësve të Qeverisë, sindikata më e madhe e punonjësve federalë, që përfaqëson një fuqi punëtore prej 700,000 vetësh.

"Detyrimi i njerëzve për një procedurë mjekësore nuk është mënyra amerikane e të vepruarit dhe është një shkelje e qartë e të drejtave civile, pavarësisht se si e justifikon atë," tha Larry Cosme, president i Shoqatës Federale të Zyrtarëve të Zbatimit të Ligjit, e cila përfaqëson 30,000 vetë në 65 agjenci./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat