Senati në seancë pune për projektigjin e infrastrukturës

Amerika

Senati në seancë pune për projektigjin e infrastrukturës

Më: 31 korrik 2021 Në ora: 20:50
Chuck Schumer

WASHINGTON (AP) - Senati u mblodh për një seancë të rrallë gjatë fundjavës të shtunën, me udhëheqësin e shumicës së Senatit, Chuck Schumer, i cili inkurajoi autorët e një plani infrastrukturor dypartiak që të përfundojnë hartimin e projektligjit, në mënyrë që senatorët të fillojnë të ofrojnë ndryshime.

Disa senatorë kishin parashikuar që teksti i projektigjit do të ishte gati për shqyrtim të premten vonë ose të shtunën herët, ai nuk ishte gati kur Senati filloi punën të shtunën në mëngjes. Senatori Schumer tha se e kuptoi që përfundimi i hartimit të një projektligji kaq të madh është një detyrë e vështirë, por ai paralajmëroi se ishte i përgatitur t’i mbante ligjvënësit në Uashington për aq kohë sa duhej për të përfunduar votimin si për planin dypartiak të infrastrukturës ashtu edhe për një plan buxhetor që do të lejojë Senatin të fillojë punën më vonë këtë vit për një paketë masive, 3.5 trilionë dollarë për nisma sociale, shëndetësore dhe mjedisore.

"Sa më shumë kohë do të dojë të përfundojë, aq më gjatë do të jemi këtu, por do ta përfundojmë punën," tha senatori Schumer.

Plani ambicioz ka mbështetjen e demokratëve dhe republikanëve dhe ka kaluar tashmë dy pengesa në Senatin e ndarë me një diferencë të ngushtë. Ligjvënësit mund të debatojnë rreth projektligjit gjatë fundjavës.

Paketa do të rrisë në mënyrë dramatike shpenzimet e vendit për rrugë, ura dhe aeroporte. Mbështetësit parashikojnë që ajo do të miratohet nga Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve, duke arritur përfundimisht në tryezën e Presidentit Biden që ai ta nënshkruajë në ligj. Paketa përfshin rreth 550 miliardë dollarë në shpenzime të reja, përveç 450 miliardë dollarëve që ishin miratuar më parë.

Projektligji nuk përfshin financimin për shumicën e ndryshimeve klimatike dhe nismat sociale që demokratët synojnë të miratojnë në një paketë të veçantë prej 3.5 trilionë dollarësh pa mbështetjen e republikanëve.

Demokratët kanë një epërsi të ngushtë si në Senat ashtu edhe në Dhomën e Përfaqësuesve, që do të thotë se partia duhet të qëndrojë e bashkuar për të arritur qëllimet e saj legjislative.

Anëtarët progresistë të grupit demokrat në Dhomën e Përfaqësuesve kanë sugjeruar se paketa prej 1 trilion dollarësh është e papërshtatshme. Senati gjithashtu mund të imponojë ndryshime që mund të komplikojnë shanset e tij për t'u bërë ligj. Por mbështetësit, përfshirë udhëheqësin demokrat të Senatit Chuck Schumer dhe udhëheqësi i pakicës republikane Mitch McConnell, kanë qenë optimistë për perspektivat e tij.

Senatori Schumer tha se ai planifikon të miratojë si projektligjin dypalësh të infrastrukturës ashtu edhe projektligjin demokratik për klimën dhe nismat sociale para se senatorët të fillojnë pushimet e verës, javën e dytë të gushtit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat