Shef i Shefave të Shtabit Bashkuar amerikan dhe debatet politike rreth tij

Amerika

Shef i Shefave të Shtabit Bashkuar amerikan dhe debatet politike rreth tij

Më: 27 shtator 2021 Në ora: 17:50
Gjenerali Mark Milley

Gjenerali Mark Milley ka qenë objekt i një numri më të madh intrigash e debatesh politike gjatë dy viteve në detyrë si Shef i Shefave të Shtabit Bashkuar, krahasuar me paraardhësit e tij më të fundit, në katër vitet e shërbimit të tyre. Ai ka qenë në qendër të tensioneve politike të njëpasnjëshme, diçka e pazakontë për një zyrtar i cili sipas ligjit është këshilltar i presidentit e që sipas traditës, duhet të jetë i kujdesshëm për të qëndruar mbi përplasjet politike.

Gjenerali Milley është përfshirë në disa çështje të ngarkuara politikisht, nga ato që lidhen me padrejtësinë racore, tek ekstremizmi i brendshëm, armët bërthamore dhe deri tek ajo nëse ish-Presidenti Donald Trump ishte në gjendje të kryente detyrën e tij si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, çështje që e kanë vënë atë shpesh në qendër të vëmendjes mediatike.

Zoti Milley pritet të përballet me pyetje të vështira mbi këto çështje gjatë dëshmisë së tij në Senat të martën dhe në një komision të Dhomës së Përfaqësuesve të mërkurën, së bashku me Sekretarin e Mbrojtjes Lloyd Austin. Seancat dëgjimore ishin parashikuar fillimisht të përqëndroheshin tek tërheqja nga Afganistani dhe evakuimi kaotik nga aeroporti i Kabulit muajin e kaluar.

Por që nga ajo kohë gjenerali Milley ka qenë shënjestër e kritikave të republikanëve lidhur me mënyrën se si portretizohet ai në një libër të ri, pasi ka ndërmarrë hapa të pazakontë, që disa thonë se janë të paligjshme, për t’u siguruar që ish Presidenti Trump të mos fillonte një luftë të mundshme me Kinën ose Iranin, apo të urdhëronte një sulm bërthamor të paprovokuar në muajt e fundit të presidencës së tij. Sipas njoftimeve Gjenerali Milley ishte pajtuar me pohimin e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi gjatë një telefonate në janar, se zoti Trump ishte "i çmendur".

Këto çështje e shoqëruan atë edhe gjatë vizitës së tij në Evropë javën e kaluar. Ai i ka shmangur pyetjet, ose mbyllur ato duke hyrë thellë në histori në përgjigjet e tij.

Gjenerali nga Bostoni me origjinë irlandeze, njihet për një qasje të drejpërdrejtë, aftësinë e mprehtë intelektuale dhe prirjen për të gërmuar thellë në historinë ushtarake. I arsimuar në Princeton shpesh u përgjigjet pyetjeve të thjeshta me një “zhytje” të thellë në histori, që mund të arrijë deri tek grekët e lashtë, e të mbulojë pjesë të dy luftërave botërore duke shpjeguar kontekstin dhe konceptet e luftës.

Ai po përballet me akuzat për tradhëti, duke iu referuar asaj që përshkruhet në librin "Peril", të gazetarëve Bob Woodward-it dhe Robert Costa-s, pasi gjatë një telefonate me homologun e tij kinez, ai e kishte siguruar atë se do ta paralajmëronte në rast të një sulmi amerikan. Por gjenerali Milley zgjodhi t’u përgjigjet pyetjeve të ngritura nga udhëheqës civilë me një qasje prej ushtaraku. Ai nuk ka pranuar të bëjë një argumentim të qëndrimit të tij në media, duke u thënë gazetarëve se një gjë të tillë do ta bënte në Kongres. Në komentin e vetëm për këtë çështje, ai ka thënë shkurt se telefonata me autoritetet kineze ishte diçka rutinë dhe brenda përgjegjësive që i jep pozita e tij.

"Mendoj se është më mirë që komentet e mia t’i bëj para ligjvënësve që kanë përgjegjësinë ligjore për të mbikëqyrur ushtrinë amerikane", tha zoti Milley. "Do të hyj në çdo detaj që Kongresi dëshiron të hyjë", shtoi ai.

Ndërsa disa ligjvënës e kanë akuzuar për tejkalim kompetencash, Presidenti Joe Biden i ka dalë në mbrotje.

Loren Thompson, një vëzhguese me eksperiencë e çështjeve në fushën e mbrojtjes në Institutin jofitimprurës Lexington, thotë se zoti Milley është viktimë e një qasjeje ekstreme polarizuese të Uashingtonit dhe ndoshta e përpjekjeve të tij për të formuar imazhin e tij publik.

"Pikëpamjet dhe qëndrimet e tij pas dyersh të mbyllura, shfaqen shumë shpesh në librin e Woodward-it dhe Costa-s", thotë zonja Thompson. "Pra ndoshta Milley ka patur një qasje më aktive në një përpjekje për të formësuar imazhin e tij, gjë që nuk i ka shërbyer për mirë”.

Por jo të gjitha polemikat që kanë shoqëruar zotin Milley kanë qenë të lidhura me ish-Presidentin Trump. Në një seancë të Dhomës së Përfaqësuesve në qershor, zoti Milley mbrojti me pasion hapjen e ushtrisë për të lejuar oficerët e rinj që të studiojnë tema me të cilat ata nuk pajtohen, të tilla si ato që lidhen me një qasje kritike ndaj drejtësisë racore. Ai tha se donte të kuptonte të ashtuquajturin "zemërim të të bardhëve” dhe se çfarë i motivoi ata që morën pjesë në sulmin e dhunshëm të 6 janarit kundër Kapitolit.

Tradicionalisht shefat e shtabit mbajnë një profil të ulët publik. Nga 19 që i kanë paraprirë zotit Milley, asnjë nuk është pushuar nga detyra dhe me gjasë as vetë ai.

Mes atyre që kanë mbajtur këtë detyrë kohët e fundit, vetëm gjenerali Peter Pace ka shërbyer më pak se katër vjet, pasi administrata e ish-Presidentit George W. Bush nuk e zgjodhi atë për një mandat tjetër dy vjeçar, duke përmendur qasjen përçarëse lidhur me luftën në Irak.

Pozita e Shefit të Shefave të Shtabit të Bashkuar, e krijuar në 1949, ka për qëllim të këshillojë presidentin dhe sekretarin e mbrojtjes. Sipas ligjit, shefi i shtabit nuk ka rol komandues për trupat ushtarake. Por roli ka marrë popullaritet publik gjatë dy dekadave të luftës në Irak dhe Afganistan.

Zoti Milley ka komanduar trupa gjatë të dyja luftrave. Këto beteja, ku ai humbi shumë ushtarë, e ndihmuan në përcaktimin e rrugës së tij ndërsa ai u ngrit nga një oficer i thjeshtë në 1980, në detyrën e Shefit të Shefave të Shtabit të Bashkuar 35 vite më vonë.

Kalimi i tij në këtë detyrë më 30 shtator 2019, erdhi me një kthesë të pazakontë.

Pothuajse një vit përpara se të betohej dhe vetëm disa ditë para se James Mattis të jepte dorëheqjen si sekretar i Mbrojtjes, zoti Trump njoftoi se zoti Milley ishte personi që ai kishte zgjedhur për të pasuar gjeneralin Joseph Dunford në detyrën e shefit të shtabit. Njoftimi ndodhte shumë përpara se t’i përfundonte mandati zotit Dunford dhe ndoshta lidhej më shumë me përplasjet që zoti Trump kishte me zotin Mattis, se sa me besimin se zoti Milley ishte njeriu i duhur për këtë detyrë.

Kjo u pa kohët e fundit, kur zoti Trump tha se ai e kishte zgjedhur zotin Milley në detyrën e shefit të shtabit për të mërzitur zotin Mattis, që ai besonte se nuk e donte gjeneralin Milley. Komentet zoti Trump i bëri pas daljes se njoftimeve se gjenerali Milley ishte i shqetësuar se ish-presidenti mund të përdorte ushtrinë për një grusht shteti. Në fakt, zoti Mattis kishte rekomanduar për në këtë detyrë gjeneralin e lartë komandantin e Forcave Ajrore dhe jo zotin Milley.

Natyra miqësore e zotit Milley mund ta ketë tërhequr fillimisht zotin Trump, por shumë shpejt ai u zemërua me të. Në qershor 2020, zoti Milley kundërshtoi privatisht pohimet e zotit Trump për zbatimin e Aktit kundër Rebelimit, që kishte për qëllim dislokimin e trupave ushtarake në rrugët e Uashingtonit për të kundërshtuar protestat e ndezura nga vrasja e afrikano-amerikanit George Floyd.

Zoti Milley gjithashtu shprehu keqardhje publike, që kishte qenë pjesë e grupit të zyrtarëve, që shoqëroi zotin Trump duke ecur në këmbë nga Shtëpia e Bardhë më 1 qershor 2020, për të shkuar tek një kishe aty pranë. Para se ish presidenti të ecte me këmbë, policia kishte ndërhyrë me forcë për shpërndarjen e demostruesve paqësorë para Shtëpisë së Bardhë. Kritikët e akuzuan zotin Milley se ishte marrë peng nga politika. Disa ditë më vonë, zoti Milley tha se kishte bërë një gabim të madh. Gjatë muajve që pasuan, ai dukej i rrezikuar të shkarkohej nga zoti Trump.

Në librin “I Alone Can Fix It”, "Vetëm unë mund ta ndreq", të gazetarëve të Washington Post-it Carol Leonnig dhe Philip Rucker, thuhet se ditën kur Presidenti Joe Biden bëri betimin, zoti Milley i kishte shprehur një lloj çlirimi ish-Zonjës së Parë Michelle Obama. "Askush nuk ndihet më i lumtur se unë sot", kishte thënë ai./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat