Portet e mbingarkuara të Los Anxhelosit dëmtojnë zinxhirin e furnizimit

Amerika

Portet e mbingarkuara të Los Anxhelosit dëmtojnë zinxhirin e furnizimit

Më: 14 tetor 2021 Në ora: 19:47
Los Anxhelos

Presidenti Joe Biden shpalosi të mërkurën një plan për të përshpejtuar përpunimin e anijeve në portet e Kalifornisë Jugore, përmes operacioneve 24 orëshe në portin e Los Anxhelosit. Shitësit me pakicë dhe prodhuesit amerikanë janë goditur nga mungesa e mallrave, për shkak të problemeve me zinxhirët global të furnizimit.

Për javë të tëra anijet po presin jashtë portit, ndërsa kërkesat për mallra të importuara nga Azia rriten, në një kohë kur vendi po përpiqet të dalë nga pandemia.

“Porositë për mallra nga fabrikat aziatike janë në shifra rekord, por ato nuk po arrijnë të plotësojnë nevojat e importuesve amerikanë. Ndonëse ne kemi shtuar 30 për qind të kapaciteteve për mallrat që mbërrijnë nga Azia, ende jemi pas me përpunimin e ngarkesave”, thotë Gene Seroka, drejtor ekzekutiv i Portit të Los Anxhelosit.

Ndërsa Kina përballet me mungesa të energjisë elektrike dhe fabrikat mundohen të përmbushin kërkesat, Paqësori është i mbingarkuar. Gati 30 anije hynë në portet e Kalifornisë Jugore.

Por dyfishi i tyre ishin duke pritur në radhë për të hyrë në port.

Kjo është problematike për Golden Grove Trading, kompaninë nga Kalifornia që tregëton veshje nga Azia. Kostot e transportit janë rritur, ndërsa klientët kërkojnë të blejnë produktet e tyre për festat e fundvitit.

“Për një kontejner 12 metrash nga Shangai në Long Beach, kostoja ishte 2 mijë e 500 dollarë. Sot e njëjta dërgesë kushton 16, 17 apo 18 mijë dollarë“, thotë Drejtorja ekzekutive e kompanisë, Yung Schulz.

Tani duhen disa javë në vend të disa ditëve për ngarkimin dhe kalimin e dërgesave në portet e Los Anxhelosit dhe Long Beach, dy pikat kryesore për ekonominë amerikane.

“Këto dy porte kontrollojnë mbi 40 për qind të të gjitha dërgesave që vijnë nga deti në ShBA”, thotë Stephen Cheung nga Korporata për Zhvillim Ekonomik në Los Anxhelos.

Magazinat janë të mbushura, linjat hekurudhore të bllokuara dhe ka mungesa shoferësh kamioni për shkak të pandemisë. Problemi është mbarëkombëtar.

“Vëmendja ishte në portet e Kalifornisë Jugore sepse këtu janë portet më të mëdha, por edhe portet e tjera në Seattle, Tacola, Oakland, Savanah po përballen me mbingarkesë dhe anije që presin për t’u shkarkuar”, thotë Drejtori ekzekutiv i Portit të Los Anxhelosit.

Logjistika duhet të përmirësohet.

“Një biznes i vetëm nuk mund ta ndryshojë gjendjen. Na duhet ndihma e qeverisë dhe e të gjithëve", thotë Yung Shulz nga kompania Golden Grove Trading.

Presidenti Joe Biden po punon me Kongresin për financimin e planit të tij për infrastrukturën, ku përfshihet edhe përmirësimi i kushteve në porte. Ai thotë se firma Walmart është ndër shitësit me pakicë, që ka rënë dakort të bërë transportin e mallrave në orët kur trafiku është më i lirë.

Shumë porte ndërkombëtare po punojnë pa pushim. Kjo dhe koordinimi i mirë përgjatë zinxhirit të furnizimit në ShBA, do të shpejtojë qarkullimin e ngarkesave përmes Kalifornisë, thonë analistët.

Qeveria dhe bizneset duhet të bashkëpunojnë, thotë një ekspert i zinxhirit global të furnizimit.

“Duhet t’i përgjigjemi pyetjes nëse në të ardhmen do të varemi tek importe, nëse po, për sa kohë dhe në çfarë mase? Apo do t’i zhvendosim furnizimet në Shtetet e Bashkuara, apo të lidhemi me Meksikën ose Kanadanë? Në momentin që e kuptojmë këtë, mund të zhvillojmë një infrastrukturë më të mirë në mbështetje të planit”, thotë Christopher Tang, profesor në Universitetin e Kalifornisë

Ai thotë se puna për të çbllokuar situatën është hapi i parë. Hapi i dytë është rindërtimi i infrastrukturës në përputhje me nevojat e ardhshme të ekonomisë amerikane./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat