Blinken, thirrje për forcimin e demokracisë në Amerikën e Jugut

Amerika

Blinken, thirrje për forcimin e demokracisë në Amerikën e Jugut

Më: 21 tetor 2021 Në ora: 19:57
Marta Lucía Ramírez dhe Antony Blinken

Në udhëtimin e tij të parë në Amerikën e Jugut në cilësinë e sekretarit të Shtetit, Antony Blinken u përqëndrua tek nevoja për zhvillimin demokratik. Ai vizitoi dy vende me demokraci të qëndrueshme, si Ekuadori e Kolumbia, në një kohë kur po rritet dhuna, autoritarizmi dhe populizmi në rajon. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Cindy Saine njofton.

Sekretari i Shtetit Antony Blinken vlerësoi të mërkurën demokracitë e qëndrueshme të Kolumbisë dhe Ekuadorit, edhe pse vizita e tij në Ekuador përkoi me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme nga Presidenti i ri i vendit Guillermo Lasso, me synimin për të luftuar dhunën e shkaktuar nga droga.

Zoti Blinken e pranoi se në të kaluarën Shtetet e Bashkuara janë përqendruar më shumë tek trajnimi dhe pajisja e forcave të sigurisë, si dhe mbështetja e zgjedhjeve demokratike në rajon sesa tek rritja e mirëqenies ekonomike të njerëzve.

“E vërteta është se ne shpesh kemi shpenzuar më shumë energji drejt forcimit të të drejtave civile dhe politike, sikurse zgjedhjet e lira e të ndershme, që janë jetike, jemi përqëndruar tek sundimi i ligjit, liria e fjalës dhe tubimit dhe më pak tek forcimi i të drejtave ekonomike dhe sociale të njerëzve, si përmirësimi i standardeve të punës, zgjerimi i qasjes në arsimim dhe tek shërbimi i duhur shëndetësor, duke ofruar mundësi më gjithëpërfshirëse”, tha zoti Blinken.

Zotit Blinken iu rezervua një pritje e ngrohtë edhe në Bogota të Kolumbisë nga Presidenti Ivan Duque. Ky i fundit është kritikuar pas vrasjes këtë vit nga forcat kolumbiane të dhjetëra protestuesve anti-qeveritarë. Por siç thotë për “Zërin e Amerikës” Benjamin Gedan i qendrës “Wilson”, Kolumbia është një aleate e rëndësishme e SHBA-së në rajon.

"Kolumbia është një aleate e vjetër e Shteteve të Bashkuara në një rajon shumë të vështirë si Amerika Latine. Fqinji i saj Venezuela është një shtet i dështuar dhe një diktaturë tejet shtypëse. Si rezultat rreth 6 milionë venezuelianë janë larguar nga vendi gjatë viteve të fundit dhe ndoshta gjysma e tyre janë vendosur në Kolumbi”.

Ngërçi politik në Venezuelë, i cili u shoqërua nga një krizë humanitare, ishin në krye të axhendës në të dyja ndalesat e sekretarit Blinken. Sipas zotit Gedan kjo shpjegon pjesërisht arsyet se pse zoti Blinken u përqëndrua tek nevoja urgjente në mbështjen e demokracisë në rajon.

"Amerika Latine po përjeton aktualisht një krizë reale të demokracisë. Nikaragua, Venezuela, Kuba, janë aktualisht të gjitha vende autoritare dhe vende si El Salvadori po shkojnë në këtë drejtim. Edhe Brazili ka dhënë kohët e fundit disa shenja paralajmëruese, që shihen tek respektimi i gjyqtarëve të pavarur dhe institucionet e tjera demokratike”.

Qeveritë nuk janë në gjendje ta shmangin krizën e migrimit duke ofruar zhvillim ekonomik, çka e bën nxitjen që zoti Blinken po u bën çështjeve që lidhen me demokracinë edhe më aktuale thotë për “Zërin e Amerikës” Keith Mines, nga Instituti i Paqes në Shtetet e Bashkuara.

“Në pjesë të tjera të Amerikës Qendrore ekziston një lloj demokracie që nuk funksionon si duhet, që nuk është në gjendje të kujdeset plotësisht për qytetarët e saj, gjë që çon në kriza migrimi e të tjera zhvillime si këto. Pa harruar demokracinë e dështuar të Haitit, e cila është tërësisht jofunksionale”.

Zoti Mines thotë se Kina po përkrah një model shumë të ndryshëm në këto vende.

“Kina po ‘shet’ një model të ngjashëm me atë vietnamez duke thënë: Mos u shqetësoni aq shumë për demokracinë. Thjesht bëni tregti me ne, siguroni një ekonomi me efikasitet të lartë e për rrjedhojë më shumë projekte infrastrukturore dhe kjo është e mjaftueshme. Pra, pse të shqetësohesh? Pse të fiksohesh pas demokracisë?”, thotë ai.

Sekretari Blinken thotë se Uashingtoni nuk po përpiqet të detyrojë asnjë vend të zgjedhë mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, por po kërkon të përkrahë standardet më të larta të mundshme lidhur me të drejtat e njeriut, si dhe kushtet e jetesës e të punës, për të gjithë qytetarët që jetojnë në kontinentet amerikane./VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat