Presidenti Biden në Romë dhe Glasgou, për klimën dhe pandeminë

Amerika

Presidenti Biden në Romë dhe Glasgou, për klimën dhe pandeminë

Më: 28 tetor 2021 Në ora: 22:20
Presidenti Biden përshëndet ndërsa së bashku me Zonjën e Parë hyjnë në bordin e Air Force One (28 tetor 2021)

Presidenti Joe Biden niset të enjten drejt Evropës në atë që shihet si një shfaqje e fortë e diplomacisë amerikane. Ai do të marrë pjesë në takimin e 20 vendeve më të pasura të botës (G-20) që mbahet në Romë si dhe në një samit të madh mbi klimën (COP26) që zhvillohet në Glasgou të Skocisë.

Presidenti Biden do të ndalet fillimisht në Romë për samitin e G-20-ës që mbahet në datat 30 dhe 31 tetor, takim ku pritet të diskutohet rreth pandemisë, ndryshimeve klimatike e çështjeve ekonomike me rëndësi globale. Me pas ai do të shkojë në samitin e COP26-ës, një konferencë dyditore e Kombeve të Bashkuara për klimën, që fillon më 1 nëntor. Por para kësaj zoti Biden pritet të takohet me Papa Françeskun, kreun e kishës katolike, një besimtar i devotshëm i së cilës është edhe ai vetë.

Presidenti kinez Xi Jinping dhe ai rus Vladimir Putin nuk do të marrin pjesë personalisht në asnjërin prej samiteve. Këtë javë Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan u tha gazetarëve këtë javë se Presidenti Biden do të jetë ai që do të udhëheqë të dy këto forume.

"Shtetet e Bashkuara dhe Evropa do të jetë atje, plot energji e të bashkuar, duke udhëhequr axhendën si në G-20 ashtu edhe në COP26", tha zoti Sullivan.

Por kjo nuk do të jetë e lehtë për zotin Biden, të cilit i duhet të rikthejë besueshmërinë tek Shtetet e Bashkuara pas tërheqjes kaotike nga Afganistani dhe problemeve me aleatin transatlantic, Francën, lidhur me marrëveshjen për prodhimin e nëndetëseve bërthamore që përfshin Australinë, Britaninë dhe Shtetet e Bashkuara, marrëveshje që u bë shkak për prishjen e një kontrate disa miliarda dollarëshe mes Francës dhe Australisë, po për prodhimin e nëndetëseve.

Këto janë disa nga çështjet tek të cilat Presidenti Biden dhe udhëheqësit e tjerë botërorë do të përqëndrohen gjatë takimeve të tyre.

Kriza klimatike

Samiti i Romës do të përqëndrohet kryesisht tek zbatimi i veprimeve më agresive lidhur me klimën. Në Grupin e 20-s përfshihen 19 vendet me ekonomitë më të fuqishme në botë dhe Bashkimi Evropian, të cilat përbëjnë dy të tretat e popullsisë globale, 80 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto botëror si dhe janë përgjegjëse për emetimin e rreth 75 për qind të sasisë së gazit që shkakton efektin serrë.

Këto vende pritet të ndërmarrin angazhime të reja për reduktimin e emetimit të gazit karbonik për të përmbushur zotimet e ndërmarra në kuadër të Marrëveshjes së Parisit për Klimën të vitit 2015, e cila kërkon kufizimin e ngrohjen globale në 2 gradë Celsius, ose çka do të ishte më idealja në 1.5 gradë Celsius. Për të përmbushur këtë objektiv, emetimi i gazit në nivel botëror duhet të përgjysmohet deri në vitin 2030 e të arrijë në zero rreth mesit të shekullit.

Image
Një stacion për rimbushjen me energji të baterive të makinave Tesla në Topeka, Kansas, (5 prill 2021)

Zoti Biden pritet të theksojë angazhimin amerikan për të ulur emetimin e gazit karbonik me 50 deri në 52%, deri në vitin 2030, krahasuar me nivelet e vitit 2005. Por nuk është e sigurt nëse ai mund ta realizojë axhendën e tij mbi klimën ndërkohë që dy projektligjet e tij të mëdha, një që lidhet me infrastrukturës dhe tjetri me shpenzime në fushën sociale po hasin vështirësi për t'u miratuar në Kongres.

Qymyri është një pikë kyçe e mosmarrëveshjeve si në takimin e G-20ës ashtu edhe atë të COP26-s. OKB-ja ka bërë thirrje që deri në vitin 2030 vendet e pasura të heqin dorë nga përdorimi i qymyrit, por ministrat e mjedisit të vendeve të G-20-ës nuk kanë arritur të bien dakord për një afat kohor.

Indonezia, një nga emetuesit më të mëdhenj të gazit karbonik që do të marrë presidencën e G-20 në dhjetor, pritet të nxisë vendet e zhvilluara të përmbushin premtimet e tyre për të siguruar 100 miliardë dollarë në vit për projekte lidhur me klimën duke mbështetur vendet në zhvillim, për të zvogëluar emetimin e gazit karbonik e për të zbutur ndikimin e ndryshimeve klimatike. Shtyrja e mëtejshme e këtyre angazhimeve mund ta zbehë besimin tek këto forume.

Reagimi ndaj pandemisë

Ministrat e financave dhe shëndetësisë të G-20-ës po krijojnë një mekanizëm të ri për të luftuar pandemitë e ardhshme. Në një letër drejtuar kolegëve të tyre të G-20-ës, Sekretarja amerikane e Thesarit Janet Yellen dhe Ministri i Financave i Indonezisë Sri Mulyani Indrawati, thanë se ky mekanizëm do të lehtësonte koordinimin global për pandemitë e ardhshme e do të krijonte një strukturë të re financimi për kërcënimet në vazhdim.

G-20 po përballet me një trysni për të trajtuar çështjen e pabarazisë në shpërndarjen e vaksinave kundër COVID-19-ës. Të dhënat tregojnë se ka ende një mungesë prej 500 milionë dozash për të arritur objektivin e vendosur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për vaksinimin e rreth 40 për qind të popullsisë botërore deri në fund të vitit 2021./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat