Reflektimet e një nëne amerikane për sakrificën e të birit në Afganistan

Amerika

Reflektimet e një nëne amerikane për sakrificën e të birit në Afganistan

Më: 11 nëntor 2021 Në ora: 20:32
Denise Williams

Dita e Veteranëve shënoi fillimisht ditën e armëpushimit që i dha fund Luftës së Parë Botërore në vitin 1918. Ajo është një festë federale në Shtetet e Bashkuara dhe kremtohet çdo 11 nëntor në nderim të ushtarakëve veteranë amerikanë për shërbimin e tyre ndaj vendit. Dita e Veteranëve këtë vit është e para që nga fundi i luftës në Afganistan, një konflikt në të cilin shërbyen mbi 750 mijë forca amerikane, prej të cilëve mbi 2400 nuk u kthyen dot kurrë në shtëpi. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kane Farabaugh, bisedoi me një nënë që reflekton rreth luftës më të gjatë të Amerikës dhe sakrificën e djalit të saj.

Denise Williams është një vizitore e rregullt në Murin e Memorialit të Konflikteve në Lindjen e Mesme, përgjatë bregut të Lumit Illinoi, pranë qytetit Marseilles, në shtetin amerikan Illinoi.

"Ky memorial përfaqëson ata që kanë vdekur që nga viti 1967 në të gjithë konfliktet në Lindjen e Mesme. Njerëzit harrojnë se humbëm tre ushtarë në luftën në Yom Kippur në 1967. Helikopteri Black Hawk që u rrëzua në Mogadishu - ata gjenden këtu. Anija USS Cole - ata janë këtu. Pra, nuk është vetëm për periudhën pas 11 shtatorit, janë të gjitha konfliktet në Lindjen e Mesme", thotë Denise Williams.

Por mbi këto mure është edhe një emër pranë zemrës së saj, emri i djalit të saj Andrew Meari.

"Për mua kjo nuk është një trashëgimi apo kujtesë e vdekjes. Kjo është një kujtesë për të gjallët se gjithçka kemi u ble me këto emra, me këto jetë. Është diçka për të kujtuar, nderuar dhe vlerësuar", thotë ajo.

Ushtaraku Andrew Meari u dërgua si pjesë e Divizionit 101 të Parashutistëve në Afganistanin jugor gjatë një zgjerimi të prezencës amerikane në vitin 2010. Një motoçiklist kreu një sulm vetëvrasës duke shpërthyer eksplozivin pranë vendrojes së tij.

Një ndër ushtarakët e tjerë që gjendeshin së bashku me zotin Meari atë ditë, rreshteri Felipe Pereira, foli më vonë për incidentin në një video të regjistruar nga Departamenti i Mbrojtjes.

"Zbrita më poshtë kodrës duke vrapuar dhe aty gjeta Mearin... një tjetër ushtar u kthye nga unë dhe më tha 'ai vdiq, na la',", tregon rreshteri Pereira.

Andrew Meari ishte vetëm 21 vjeç kur u varros në Ditën e Veteranëve, 11 nëntor 2010, pranë shtëpisë së tij në Illinoi. Ai është tashmë një ndër 2400 emrat në këto panele, të atyre që dhanë jetën duke shërbyer në ushtrinë amerikane në Afganistan që nga viti 2001.

Ai kishte marrë leje nga ushtria për të vizituar nënën e tij vetëm pak javë përpara se të vdiste. Ajo thotë se ishte i palëkundur në misionin për të eliminuar rrezikun terrorist ndaj vendit.

"Ai absolutisht besonte se nëse nuk do t'i luftonim atje, atëherë do t'i luftonim këtu. Besonte në atë që po bënte. Besonte se ishte e drejtë", thotë zonja Williams.

Ajo mendon se ky objektiv u realizua me sukses në Afganistan. Osama Bin Laden u kap dhe u vra në më pak se një vit pas vdekjes së djalit të saj.

"Gjithçka tjetër që bëmë në Afganistan, megjithëse ka shumë kauza dhe ide fisnike, nuk ka të bëjë me luftën. Ushtarët nuk janë për gjëra të tilla. Ushtarët nuk hapin puse, nuk ndërtojnë shkolla; im bir mori pjesë në disa aktivitete të tilla. Ky nuk është qëllimi i ushtarëve", thotë ajo.

Sot, zonja Williams përfaqëson një organizatë jofitimprurëse të nënave të të rënëve, Shoqatën e Nënave të Yllit të Artë në Illinoi.

"Jemi nënat që humbën fëmijët e tyre për shkak se vendosën të vishnin uniformën e vendit të tyre", thotë ajo.

Ndërsa Shtetet e Bashkuara shënojnë të parën Ditë të Veteranëve pas fundit të luftës në Afganistan, dita në të cilin ajo varrosi djalin e saj, zonja Williams i përgjigjet një pyetjeje të vështirë që ja bëjnë shpesh.

"Më pyesin nëse ja vlejti? Nuk mund të ketë vlerë për zemrën e një nëne vdekja e të birit. Pikë. Por... im bir nuk luftoi për popullin afgan, nuk luftoi për ndonjë parti politike, nuk luftoi për asgjë tjetër përveç Kushtetutës, betimit që ai bëri, ai luftoi për popullin amerikan - për Amerikën. Për Amerikën ia vlen të luftohet"./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat