​Uashingtoni nxit vaksinimin përforcues kundër COVID-19

Amerika

​Uashingtoni nxit vaksinimin përforcues kundër COVID-19

Më: 21 nëntor 2021 Në ora: 12:58
Foto ilustrim

Zyrtarët amerikanë të Shëndetit Publik miratuan administrimin e vaksinave përforcuese të disponueshme për të gjithë të rriturit, duke hapur një fazë të re në luftën kundër pandemisë COVID-19, ndërsa amerikanët po përgatiten për një dimër tjetër me infeksione dhe shtrime në spital në rritje.

Është një hap që disa shtete, përfshirë Kaliforninë, e kanë ndërmarrë tashmë mes shqetësimeve se efektiviteti i vaksinave të marra në fillim të këtij viti mund të zvogëlohet, ndërsa më shumë njerëz po udhëtojnë për pushime dhe po mblidhen me njëri-tjetrin në ambiente të mbyllura.

Vendimet e njëpasnjëshme nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave dhe Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve do të thjeshtojnë procesin për amerikanët që kërkojnë mbrojtje shtesë nga koronavirusi.

Ndërsa më parë përforcuesit ishin të disponueshëm për amerikanët e moshuar dhe ata me rrezik të lartë për t’u infektuar, tani kushdo që është të paktën 18 vjeç mund të marrë një vaksinë tjetër, për sa kohë që kanë kaluar gjashtë muaj nga doza e tyre e mëparshme.

Autorizimi i zgjeruar i vaksinave përforcuese u trajtua me shpejtësi nga një administratë që ka luftuar për të gjetur mënyra për ta vënë nën kontroll pandeminë, pavarësisht se i ka bërë vaksinat gjerësisht të disponueshme dhe pa pagesë.

Më shumë se 60 milionë amerikanë kanë të drejtë të vaksinohen, por nuk kanë marrë ende një vaksinë dhe varianti më ngjitës Delta vazhdon të përhapet në të gjithë vendin.

Mesatarisht 1 000 persona vdesin nga COVID-19 çdo ditë.

Me rastet sërish në rritje, administrata Biden ka blerë 10 milionë doza të pilulës antivirale të Pfizer për trajtimin e sëmundjes.

Pilula nuk është miratuar ende nga FDA, por provat klinike kanë qenë premtuese dhe Biden dëshiron ta administrojë atë falas, pasi të autorizohet.

“Ky trajtim mund të provojë të jetë një mjet tjetër kritik në arsenalin tonë që do të përshpejtojë rrugën tonë për të dalë nga pandemia”, tha Biden në një deklaratë.

Gati 196 milionë amerikanë konsiderohen të vaksinuar plotësisht dhe më shumë se 30 milionë kanë marrë vaksina përforcuese.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat