Kongresi përballë çështjes urgjente të miratimit të buxhetit

Amerika

Kongresi përballë çështjes urgjente të miratimit të buxhetit

Më: 30 nëntor 2021 Në ora: 06:17
Kongresi

Ligjvënësit amerikanë i pret një muaj i ngarkuar, pasi ata duhet të përballen me afate të mëdha buxhetore dhe miratimin e paketës së shpenzimeve prej 2 trilionë dollarësh për financimin e programeve të kujdesit shëndetësor, klimës dhe çështjeve sociale.

Ndërsa ligjvënësit u kthyen në Uashington të hënën, çështja më urgjente me të cilën ata përballën është financimi i qeverisë federale. Një marrëveshje e mëparshme e përkohshme që u arrit në fund të shtatorit vazhdoi financimin e agjencive qeveritare deri më 3 dhjetor, por tani duhet të arrihet një marrëveshje tjetër deri të premten për të shmangur mbylljen e pjesshme të qeverisë.

Udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer u zotua të hënën se Kongresi do të miratojë një projektligj të ri për të financuar qeverinë.

"Me kaq shumë çështje kritike, gjëja e fundit që popullit amerikan i duhet tani është një mbyllje e qeverisë", tha ai në një fjalim në Senat.

Anëtarë të personelit të Kongresit thanë se mund të ketë një votim që të mërkuren për financimin e qeverisë deri në janar ose shkurt të vitit të ardhshëm.

Pasi miratimit të kësaj mase, Kongresi do të duhet të merret menjëherë me çështjen e rritjes së tavanit të borxhit. Nëse Kongresi nuk miraton masën për rritjen e tavanit të borxhit, qeveria amerikane mund të mos jetë në gjendje të përmbushë detyrimet e saj fianciare, një veprim që do të mund të shkaktonte probleme në tregjet e aksioneve dhe ekonominë globale.

Sekretarja e Thesarit Janet Yellen ka thënë se Kongresi ka afat deri më 15 dhjetor për të arritur një marrëveshje mbi rritjen e tavanit të borxhit, që do t’i jepte qeverisë mundësinë për të marrë më shumë borxhe për të paguar detyrimet e saj financiare.

Ligjvënësit po punojnë gjithashtu për miratimin e projektligjit vjetor të shpenzimeve për sektorin e mbrojtjes përpara fundit të vitit. Versioni i këtij viti ka një çmim prej rreth 768 miliardë dollarësh.

Demokratët në Kongres gjithashtu shpresojnë të marrin në shqyrtim një nga iniciativat kryesore të Presidentit Joe Biden në javët e ardhshme, miratimin në Senat të projektligjit 2 trilionë dollarësh, i cili përfshinë financimin e programeve për ndihma tatimore për familjet me fëmijë,strehimin, ngadalësimin e ndryshimimit të klimës dhe uljen e kostos së ilaçeve me recetë.

Dhoma e Përfaqësuesve e udhëhequr nga demokratët miratoi paketën pa votën e asnjë republikani. Masa përballet me më shumë pasiguri në Senat, ku demokratët kanë një epërsi edhe më të vogël./VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat