SHBA mbështet krijimin e traktatit global për pandeminë

Amerika

SHBA mbështet krijimin e traktatit global për pandeminë

Më: 2 dhjetor 2021 Në ora: 16:19
SHBA

Mes shtimit të shqetësimeve lidhur me variantin e ri Omicron të koronavirusit, administrata e Presidentit Biden po mbështet përpjekjet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për të krijuar një marrëveshje ndërkombëtare mbi gatishmërinë dhe reagimin ndaj pandemisë në të ardhmen, të ashtuquajturin traktat për pandeminë. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Patsy Widakuswara, ekspertët e shëndetit publik janë pesimistë për rezultatin.

Të paktën 55 vende kanë vënë kufizime udhëtimi me synimin për të frenuar përhapjen e variantit Omicron të koronavirusit. Dr. Anthony Fauci është këshilltar i lartë mjekësor i presidentit amerikan.

“Konfirmimi i përhapjes në disa shtete dhe numri i të infektuarve lën të kuptosh se shifrat do të ndryshojnë me shpejtësi.”

Image
Dr. Anthony Fauci

Ndërsa shtetet përpiqen të rrisin shkallën e vaksinimeve, administrata amerikane po mbështet përpjekjet e OBSH-së për një marrëveshje të re ndërkombëtare lidhur me gatishmërinë dhe reagimin ndaj pandemive në të ardhmen, tha për Zërin e Amerikës zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki nga bordi i avionit presidencial “Air Force One”.

“Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara të punojnë me vendet anëtare për të çuar përpara rekomandimet e fundit të grupit të punës për gatishmërinë dhe reagimin. Këtu përfshihet një marrëveshje e re e konventës së OBSH-së për të përmirësuar efektivitetin dhe zhdërvjelltësinë e rregulloreve ndërkombëtare të shëndetit.”

Fillimisht, Shtetet e Bashkuara kishin kundërshtuar përfshirjen e formulimit që do ta bënte të ashtuquajturin "traktat pandemik", të propozuar në mars nga dhjetëra udhëheqës botërorë, ligjërisht të detyrueshëm. Pritet që traktati të jetë gati në maj të vitit 2024.

Krishna Udayakumar e Universitetit Duke foli për Zërin e Amerikës përmes rrrjetit Skype.

Image

"Çdo gjë që del nga ky proces ka shumë pak gjasa të sjellë ndonjë ndryshim në mjedisin tonë aktual dhe reagimin ndaj pandemisë. Do të duhet dy ose tre vite që të arrihet një traktat real që mund të hyjë në fuqi ose jo.”

Ndërkohë, organizatat humanitare thonë se një traktat për pandeminë duhet të përfshijë heqjen e patentave për vaksinat – duke anashkaluar marrëveshjen e Organizatës Botërore të Tregtisë mbi aspektet tregtare të lidhura me të drejtat e pronësisë.

Fillimisht, Uashingtoni ishte kundër dhe ndryshoi qendrim në muajin prill. Britania, Zvicra dhe BE-ja ende janë kundër. Por shumë janë skeptikë se administrata e Presidentit Biden po i kushton ndonjë vëmendje diplomatike reale çështjes.

Zëri i Amerikës foli përmes rrjetit Skype me Yuanqiong Hu, këshilltare e organizatës Mjekët pa Kufij.

“Vërejmë mungesën e një udhëheqjeje më të fortë nga SHBA-ja pas ndryshimit të qendrimit.”

Sipas hulumtimeve të Universitetit Duke, pothuajse dy vjet pas shpërthimit të pandemisë, bota ende vazhdon të luftojë për të krijuar një përgjigje efektive dhe të barabartë. Angazhimet dhe premtimet mbeten kryesisht të parealizura, përfshirë synimin për shkallën e vaksinimit në 40% nga çdo vend deri në fund të vitit 2021 dhe 70% nga mesi i vitit 2022./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat