Zbulohen raste me variantin Omicron në Nju Jork

Amerika

Zbulohen raste me variantin Omicron në Nju Jork

Më: 3 dhjetor 2021 Në ora: 15:10
Nju Jork

Në Nju Jork janë zbuluar disa raste të variantit Omicron të koronavirusit, thanë zyrtarët e shëndetësisë të enjten, përfshirë një person që mori pjesë në një konferencë në Manhattan në fund të nëntorit dhe rezultoi pozitiv kur u kthye në Minesota ku banon.

Përveç konferencës, zyrtarët shëndetësorë thanë se pesë persona të tjerë të infektuar së fundmi me COVID-19 kishin rezultuar pozitivë për variantin.

Mes tyre ishte një person në Long Island, i cili kohët e fundit kishte udhëtuar në Afrikën e Jugut, banorë të lagjeve Brooklyn dhe Queens, dhe një rast tjetër që mund të ketë qenë i lidhur me udhëtim.

"Nuk ka arsye për alarm. Thjesht duam të sigurohemi që publiku të jetë i informuar", tha guvernatorja Kathy Hochul.

Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut Bill de Blasio tha se përhapja gjeografike e testeve pozitive sugjeron se bëhet fjalë për "përhapje në komunitet" dhe nuk ishte i lidhur me një episod të vetëm.

Lajmi erdhi një ditë pasi Shtetet e Bashkuara njoftuan se rasti i parë i variantit ishte zbuluar në Kaliforni, tek një person që kishte udhëtuar së fundmi në Afrikën e Jugut.

Zyrtarët njoftuan për një rast tjetër të enjten tek një grua nga Kolorado, e cila kohët e fundit kishte udhëtuar në Afrikën jugore.

Në konferencën ku kishte qenë personi nga Minesota, kishin marrë pjesë 50,000 vetë, sipas organizatorëve të ngjarjes, dhe pjesëmarrësve u ishte kërkuar të mbanin maska dhe të tregonin prova se kishin marrë të paktën një dozë të një vaksine COVID-19.

Zyrtarët e Nju Jorkut, që ka një popullsi prej 8.8 milionë banorësh, thanë se e dinin që do të ishte vetëm çështje kohe përpara se varianti i ri të zbulohej në qytet.

Personi nga Minesota zhvilloi simptoma të lehta më 22 nëntor dhe bëri testimin për COVID-19 më 24 nëntor, tha departamenti i shëndetësisë i shtetit, duke shtuar se simptomat e tij kishin kaluar.

Ai ishte vaksinuar dhe kishte marrë një vaksinë përforcuese në fillim të nëntorit, sipas zyrtarëve të shëndetësisë.

Shkencëtarët po e studiojnë variantin Omicron, i cili është cilësuar si një variant shqetësues nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, për të zbuluar nëse është më i transmetueshëm apo më i rëndë se varianti Delta. Ata po analizojnë gjithashtu se sa efektive janë vaksinat aktuale ndaj tij./VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat