Pandemia çon në rritje dramatike të viktimave të trafikut rrugor

Amerika

Pandemia çon në rritje dramatike të viktimave të trafikut rrugor

Më: 6 dhjetor 2021 Në ora: 08:18
Kjo është rritja më e madhe gjashtëmujore e regjistruar ndonjëherë

Sipas Departamentit të Transportit, numri i viktimave nga aksidentet rrugore në SHBA ka arritur nivelin më të lartë që nga viti 2006 në gjysmën e parë të vitit 2021. Arsyeja për këtë rritje mund të ketë të bëjë me pandeminë.

Rreth 20,000 vetë u vranë në aksidente rrugore në gjysmën e parë të vitit 2021, thotë Administrata Kombëtare e Sigurisë së Trafikut në Autostrada e Departamentit të Transportit.

Kjo është rritja më e madhe gjashtëmujore e regjistruar ndonjëherë.

Sekretari i Transportit Pete Buttigieg shprehu shqetësimin e tij.

“Ne nuk mund dhe nuk duhet t'i pranojmë këto fatalitete thjesht si pjesë e jetës së përditshme në Amerikë. Askush nuk do ta arrijë këtë i vetëm. Do të duhen të gjitha nivelet e qeverisjes, industritë, avokatët, inxhinierët dhe komunitetet në të gjithë vendin që të punojnë së bashku drejt ditës kur anëtarët e familjes nuk duhet t'u thonë lamtumirë të dashurve për shkak të një aksidenti trafiku".

Shpejtësia është ndër arsyet e numrit më të lartë të vdekjeve, thotë Adam Snider i Shoqatës së Sigurisë së Autostradave të Guvernatorëve.

“Shumë shtete raportojnë shpejtësi të tepëruar – nuk dua të them 16-25 kilometra në orë mbi kufirin e shpejtësisë, po flas për shpejtësi treshifin e asaj të lejuar. Duhet të marrim nën kontroll shpejtësinë. Drejtimi i automjetit nga shoferë të paaftë është një tjetër problem i madh që merr rreth 10,000 jetë njerëzish çdo vit” .

Ekspertët thonë se pandemia po luan rol në vdekjet në trafik. Kjo për shkak se autostradat ishin më pak të ngarkuara dhe shumë shoferë adoptuan një stil më të rrezikshëm të drejtimit.

Kjo përfshin përdorimin e telefonave celularë gjatë ngarjes së makinës.

“Ne vërtet mbështetemi te teknologjia. Komunikimi me miqtë dhe familjen nuk bëhej ballë për ballë, bëhej përmes telefonit, bëhej me mesazhe. Dhe një pjesë e kësaj praktike ka bërë që kur individët lëvizin me makinë dhe marrin një mesazh mendojnë se duhet të përgjigjen menjëherë!”, thotë Karl Minges me Universitetin Nju Hejvën.

Një tjetër arsye për rritjen e numrit të aksidenteve është se ka më pak policë në rrugë. Sipas zotit Snider, edhe pandemia edhe protestat antipolicore në mbarë Shtetet e Bashkuara bënë që të shkurtohej numri i policëve të trafikut. Thjesht prania e policisë, thotë zoti Snider, përforcon sjelljen e përshtatshme të automjetit.

“Oficerët në rrugë mund ta përforcojnë vërtet atë pikë dhe të kapin shoferët më të rrezikshëm. Oficeri i policisë mund të heqë një shofer të dehur nga rruga me një arrestim - dhe kjo mund të parandalojë një aksident", thotë Adam Snider.

Disa shtete – si Dakota e Veriut dhe Virxhinia Perëndimore – kanë njoftuar plane për të rritur numrin e policisë së trafikut rrugor në dhjetor 2021. Ata gjithashtu do të shfaqin më shumë pankarta që u kujtojnë shoferëve ligjet e trafikut dhe pasojat e mundshme tragjike të mosrespektimit të rregullave./VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat