Biden kërcënon Putinin me sanksione “siç nuk i ka parë kurrë më parë”

Amerika

Biden kërcënon Putinin me sanksione “siç nuk i ka parë kurrë më parë”

Nga: Sherif Ramabaja Më: 8 dhjetor 2021 Në ora: 22:04
Presidenti i SHBA Joe Biden; Foto: Susan Walsh / dpa

Një ditë pas video samitit me shefin e Kremlinit, Vladimir Putin, presidenti i SHBA Joe Biden e forcoi sërish tonin: ai njoftoi masa ndëshkuese të paprecedentë ndaj Rusisë, në rast të një sulmi ndaj Ukrainës.

Nuk flitet për një përgjigje ushtarake, por presidenti amerikan Joe Biden e ka kërcënuar presidentin rus Vladimir Putin me sanksione të paprecedentë nga Shtetet e Bashkuara, në rast të një sulmi ndaj Ukrainës. Nëse Rusia sulmon Ukrainën, SHBA-ja do të kundërpërgjigjet me sanksione, "siç nuk e ka parë kurrë më parë", tha Biden një ditë pas samitit video të dy presidentëve.

Biden dhe Putin kishin shkëmbyer pikëpamje mbi konfliktin e Ukrainës të martën. Rusia ka grumbulluar dhjetëra mijëra ushtarë në kufirin me shtetin e saj fqinj. Kjo po nxit frikën në Perëndim se ushtria ruse mund të pushtojë Ukrainën. Moska e refuzon këtë dhe e akuzon Ukrainën për provokime.

Biden: Asnjë operacion ushtarak amerikan në Ukrainë kundër Rusisë

Biden në këtë moment dhe në këtë kohë përjashtoi një operacion të paautorizuar ushtarak amerikan për të mbrojtur Ukrainën, në rast të një pushtimi të mundshëm rus.

“Ideja që Shtetet e Bashkuara do të përdorin forcën në mënyrë të njëanshme për të kundërshtuar një pushtim rus të Ukrainës, është jashtë diskutimit për momentin”, tha ai.

Por ai ia bëri të qartë Putinit në mënyrë të pagabueshme se në një rast të tillë ai do të duhej të llogariste me "pasoja të rënda".

"Unë jam absolutisht i sigurt se ai e mori mesazhin," tha Biden.

Pak para deklaratës së Bidenit, Putin e bëri të qartë se Moska rezervon të drejtën për të "mbrojtur sigurinë e Rusisë". "Rusia ndjek një politikë të jashtme paqësore, por ka të drejtë të mbrojë sigurinë e saj," tha Putin në një konferencë shtypi me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis .

Putin nuk foli për lëvizjet e trupave ruse në kufirin me Ukrainën. Por ai tha se do të ishte "mosveprim kriminal" nëse Rusia nuk do të vepronte përballë afrimit të NATO-s . Perspektiva e anëtarësimit të Ukrainës në NATO "shihet me shqetësim". Putin gjithashtu vlerësoi bisedimet me Biden si konstruktive. Dialogu do të vazhdojë.

Fluturimet ushtarake amerikane mbi Detin e Zi - Rusia dorgon një notë proteste

Në lidhje me fluturimin e avionëve ushtarakë mbi Detin e Zi, Rusia dërgoi një notë proteste në ambasadën amerikane në Moskë. SHBA dhe aleatët e saj të NATO-s po ndërmarrin "provokime kundër avionëve civilë" që rrezikojnë hapësirën ajrore dhe jetët njerëzore, thuhet në të. Pala amerikane kishte renditur disa incidente - duke përfshirë një incident javën e kaluar. Një aeroplan pasagjerësh rus iu desh të ndryshonte lartësinë e tij për shkak të një avioni zbulues të NATO-s mbi Detin e Zi.

Moska u ankua gjithashtu për "manovra të rrezikshme" nga anijet detare amerikane. Sidomos rreth gadishullit të Krimesë në Detin e Zi, i cili u aneksua nga Rusia në vitin 2014, ka mosmarrëveshje dhe incidente të përsëritura, sepse Rusia i sheh të kërcënuar kufijtë e saj ajror dhe detar. Aneksimi i Krimesë nuk njihet ndërkombëtarisht, prandaj shumica e shteteve të tjera e konsiderojnë atë si territor ukrainas./Nga Gjermanishtja Sherif Ramabaja

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat