Uashingtoni nxit lidhje më të ngushta me Tajvanin, pa ndryshuar thellësisht politikën ndaj Kinës

Amerika

Uashingtoni nxit lidhje më të ngushta me Tajvanin, pa ndryshuar thellësisht politikën ndaj Kinës

Më: 9 dhjetor 2021 Në ora: 16:46
Tajvani është një nga dhjetë partnerët tregtarë më të mëdhenj të Amerikës dhe zyrtarët po kërkojnë lidhje edhe më të ngushta ekonomike.

Gjatë këtij viti, ligjvënësit republikanë dhe demokratë treguan mbështetje publike për Tajvanin me vizita të shumta si dhe ftesën e atij vendi në Samitin e Sigurisë të organizuar nga Presidenti Joe Biden. Korrespondentja e Zërit të Amerikës pranë Departamentit të Shtetit Nike Ching njofton në materialin në vazhdim se si zyrtarët po nxisin lidhje më të ngushta SHBA-Tajvan pa ndryshuar rrënjësisht politikën e përgjithshme të Uashingtonit për një Kinë të vetme.

Senatorë republikanë dhe demokratë vizituan Tajvanin në qershor, një nga udhëtimet e shumta të ligjvënësve amerikanë çfarë sinjalizon mbështetjen për demokracinë vetëqeverisëse.

Që nga ajo vizitë, SHBA dhe Tajvani kanë zhvilluar më shumë bisedime për tregtinë dhe investimet. Aktualisht, Tajvani është një nga dhjetë partnerët tregtarë më të mëdhenj të Amerikës dhe zyrtarët po kërkojnë lidhje edhe më të ngushta ekonomike.

Zëri i Amerikës e pyeti Nënsekretarin e Shtetit për Rritjen Ekonomike, Energjinë dhe Mjedisin, Jose Fernandez, lidhur me bisedimet me Tajvanin.

“Diskutuam një sërë çështjesh të rëndësishme për SHBA-në edhe Tajvanin: çështjet e zinxhirit të furnizimit, detyrimi ekonomik, shkëmbimet shkencore dhe teknologjike, gjërat që mund të bëjmë në përpjekje për thelluar marrëdhëniet mes popujve tanë, si dhe thellimin e partneritetin tonë ekonomik”.

Tajvani është strehë e prodhuesit më të madh në botë të çipave, “Taiwan Semiconductor Manufacturing Company”, shkurtimisht TSMC. Shumë e lidhin mbijetesën e demokracisë së Tajvanit me sigurinë e zinxhirit të furnizimit të SHBA.

Seth Jones, drejtor i Programit të Sigurisë Ndërkombëtare në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, foli me Zërin e Amerikës përmes rrjetit Skype.

“Tajvani ka një treg të lirë dhe të hapur. Ka një sistem politik demokratik. Një klimë shumë të mirë biznesi. Një Tajvan i lirë dhe demokratik është jashtëzakonisht i rëndësishëm për Amerikën në rrafshin ekonomik edhe më gjerësisht, për sigurinë e zinxhirit të furnizimit të Shteteve të Bashkuara.”

Pas një takimi virtual midis Presidentit Joe Biden dhe Presidentit Xi Jinping, Uashingtoni ftoi Tajvanin të marrë pjesë në Samitin për Demokraci, duke shkaktuar një refuzim të ashpër nga Kina.

"Ajo që bëri SHBA-ja dëshmon se e ashtuquajtura ‘demokracia’ e saj është vetëm një pretekst dhe një mjet për të ndjekur qëllimet e veta gjeopolitike, për të shtypur vendet e tjera, për të ndarë botën, për t'u shërbyer interesave të veta dhe për të ruajtur hegjemoninë e saj në botë", tha Zhao Lijian, zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës.

Pekini pretendon sovranitetin mbi Tajvanin. Nga ana tjetër, Taipei e konsideron ishullin shtet sovran. Deri më tani, thonë analistët, qendrimi i administratës së Presidentit Biden pasqyron politikën e kahershme amerikane.

Derek Grossman, analist për mbrojtjen në Korporatën Rand, foli me Zërin e Amerikës përmes rrjetit Skype.

“SHBA mund ta njohë Tajvanin si një demokraci, por në të njëjtën kohë, mund të mbështesë politikën ‘Një Kinë’. Administrata Biden, sikurse administrata Trump më parë, ka theksuar politikën e kahershme amerikane për një Kinë të vetme por edhe mbështetjen e Uashingtonit për Tajvanin.”

Përballë kërcënimeve të vazhdueshme nga Kina, Tajvani ka rritur aftësitë mbrojtëse. SHBA po vazhdon gjithashtu shitjen e armëve Tajvanit në bazë të Ligjit të Marrëdhënieve me Tajvanin, pasi Uashingtoni tërhoqi njohjen diplomatike të Tajvanit dhe njohu Kinën në vitin 1979.

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan, tha se Uashingtoni po ndërmerr çdo veprim që nga “frenimi dhe diplomacia” për t’u siguruar që skenari që Kina përdor forcën për t’u bashkuar me Tajvanin “të mos ndodhë kurrë”./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat