Dhoma e Përfaqësuesve pritet të votojë akuzat për Mark Meadows

Amerika

Dhoma e Përfaqësuesve pritet të votojë akuzat për Mark Meadows

Më: 15 dhjetor 2021 Në ora: 00:26
Mark Meadows

Dhoma e Përfaqësuesve pritet të votojë sot nëse do të referojë tek Departamenti i Drejtësisë akuzat për mosrespektim të Kongresit ndaj Mark Meadows, ish-shefit të stafit të Shtëpisë së Bardhë gjatë administratës së Presidentit Donald Trump, pas refuzimit të tij për të dëshmuar lidhur me rolin që kishte në përpjekjet për të përmbysur rezultatin pas humbjes së zotit Trump në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

Një komision i Kongresit i përbërë nga shtatë demokratë dhe dy republikanë të hënën votoi njëzëri për rekomandimin që ish-shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Mark Meadows të përballet me akuza penale për mosrespektim të Kongresit, pas refuzimit të tij për të dëshmuar rreth rolit që ai pati gjatë trazirave të 6 janarit në Kapitol.

Zoti Meadows tha në një intervistë për rrjetin televiziv “Fox News” se vendimi ishte zhgënjyes por jo befasues.

Para votimit të së hënës në komision, ligjvënësja republikane Liz Cheney lexoi mesazhet që zoti Meadows kishte shkëmbyer me disa figura të shquara të shtypit konservator, pasi kishte filluar sulmi i 6 janarit.

"Po citoj: ‘Mark, presidenti duhet t’u thotë njerëzve në Kapitol të shkojnë në shtëpi, kjo po na lëndon të gjithëve. Po dëmton trashëgiminë tonë’, shkruante Laura Ingraham. ‘Ju lutem, nxirreni në televizion. Po shkatërrohet gjithçka që keni arritur”, shkruan Brian Kilmeade. ‘A mund të bëni një deklaratë? Kërkoni nga njerëzit të largohen nga Kapitoli?’, pyeste Sean Hannity. Ndërsa dhuna vazhdonte, njëri nga djemtë e Presidentit i dërgoi mesazh zotit Meadows: ‘Ai duhet ta dënojë këtë sa më shpejt që është e mundur. Thirrja e Policisë së Kapitolit nuk mjafton’, kishte shkruar djali i Presidentit Trump. Meadows u përgjigj duke thënë: ‘Po mundohem shumë ta nxis. Jam dakord’. Megjithatë, Presidenti Trump nuk veproi menjëherë”, përfundoi senatorja republikane Cheney.

"Çfarëdo trashëgimie që mendoi se la në Kongres, tani kjo është trashëgimia e tij. Kolegia e tij që kërkon ngritje akuzash ndaj tij, sepse ai nuk pranoi të përgjigjej për atë që di për atë sulm brutal mbi demokracinë tonë. Kjo është trashëgimia e tij. Por ai nuk na la rrugë tjetër. Zoti Meadow e vuri veten në këtë pozitë. Tani duhet të përballet me pasojat”, tha Bennie Thompson, kryesues i Komisionit të 6 janarit.

Nëse kjo masë merr miratimin e plotë në Dhomën e Përfaqësuesve, Departamenti i Drejtësisë pastaj do të vendosë nëse do të ndjekë penalisht zotin Meadows.

Ai fillimisht kishte pranuar të dëshmonte për rolin e tij para 6 janarit, kur po ndihmonte zotin Trump të fitonte mandatin e dytë dhe veprimet e tij në ditën e protestave të dhunshme.

Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve vuri para përgjegjësisë një tejtër bashkëpunëtor të ish Presidentit Trump, Steve Bannon, për shpërfillje të Kongresit pas refuzimit të tij për të dëshmuar. Më vonë zoti Bannon u padit dhe nëse shpallet fajtor, ai mund të përballet me një vit burg.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat