SHBA akuzon një kolumbian vrasjen e presidentit të Haitit

Amerika

SHBA akuzon një kolumbian vrasjen e presidentit të Haitit

Më: 4 janar 2022 Në ora: 23:22
Haiti ka arrestuar dhjetëra njerëz pas vrasjes që ndodhi në muajin korrik

Autoritetet amerikane ngritën akuza të martën ndaj një kolumbiani për komplot për të kryer vrasje ose rrëmbim jashtë Shteteve të Bashkuara në lidhje me vrasjen e presidentit haitian, Jovenel Moise, akuzat e para zyrtare për vrasjen.

Haiti ka arrestuar dhjetëra njerëz pas vrasjes që ndodhi në muajin korrik e cila krijoi një vakum politik në atë vend. Por Haiti nuk ka ngritur akuza ndaj askujt dhe hetimet kanë shkaktuar ankesa për vonesa dhe frikësim të zyrtarëve.

Departamenti Amerikan i Drejtësisë tha në një deklaratë se Mario Palacios, një ish-oficer ushtarak kolumbian, ishte pjesë e një komploti që fillimisht kishte planifikuar të rrëmbente zotin Moise, por plani u tjetërsuanë një komplot vrasjeje pasi autorët nuk ishin në gjendje të siguronin një aeroplan për të rrëmbyer presidentin nga Haiti.

“Në bazë të dokumenteve të depozitura thuhet se, më 7 korrik 2021, Palacios dhe të tjerë hynë në rbanesën e presidentit në Haiti me qëllimin për të vrarë Presidentin Moise, dhe në fakt presidenti u vra”, thuhet në deklaratën e Departamentit të Drejtësisë.

Palacios u akuzua gjithashtu për, “mbështetje materiale që rezultoi në vdekje".

Një anëtar i komplotit, një haitiano-amerikan i përshkruar si “bashkë-komplotisti #1, udhëtoi në Shtetet e Bashkuara në fund të qershorit për të kërkuar ndihmë për të çuar më tej planin”, thuhet në deklaratë.

Të martën, i akuzuari Palacios doli para një gjykate në Majami, i veshur me rroba civile dhe pranga që ishin të lidhura me një zinxhir rreth belit të tij.

Duke folur në gjuhën spanjolle, Palacios i tha gjykatës nëpërmjet një përkthyesi se ai nuk njeh askënd në Shtetet e Bashkuara dhe se të ardhurat e tij të vetme janë një pension ushtarak kolumbian me vlerë rreth 375 dollarë në muaj.

Sipas një raporti të Policisë Kombëtare të Haitit në muajin gusht, Palacios ishte pjesë e një grupi prej pesë personash të njohur si “Ekipi Delta” që hyri në dhomën e gjumit të zotit Moise për ta vrarë atë.Katër anëtarët e tjerë të atij grupi janë në paraburgim në Haiti.

“Kryeministri Ariel Henry dëshiron vënien e drejtësisë në vend për vrasjen e Presidentit Jovenel Moise”, tha një zëdhënës i zyrës së kryeministrit.

Palacios u arrestua në Xhamajka në tetor dhe po deportohej të hënën në Kolumbi. Gjatë një qëndrimi në Panama, ai pranoi të udhëtonte në Shtetet e Bashkuara, tha Departamenti amerikan i Drejtësisë./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat