Zbehen shpresat për ndryshime në rregullat e votimit në Senat

Amerika

Zbehen shpresat për ndryshime në rregullat e votimit në Senat

Më: 13 janar 2022 Në ora: 22:30
Senati amerikan

Presidenti Joe Biden shkoi në Kongres të enjten në përpjekje për siguruar mbështetjen e të gjithë demokratëve të partisë së tij që të votojnë për ndryshimin e rregullores së Senatit që i mundëson palës kundërshtare të bllokojë çdo ligj që nuk siguron 60 vota.

Por që para se ai të shkonte gjasat për miratim u zbehën, pasi senatorja demokrate nga Arizona, Kyrsten Sinema tha se ishte kundër heqjes së këtij rregulli.

Zoti Biden dhe shumë demokratë të tjerë e kishin intensifikuar fushatën për të ndryshuar procedurën, në mënyrë që të bënin të mundur miratimin e një ligji për të drejtën e votës, në kushtet kur pakica republikane ka bllokuar pjesë kyçe të programit të administratës së tij.

Demokratët e shohin projekt-ligjin për të drejtën e votës si një shans të fundit për të eliminuar kufizimet e reja të votimit në shtetet e kontrolluara nga republikanët përpara zgjedhjeve të Kongresit më 8 nëntor të këtij viti, ku ata rrezikojnë të humbasin epërsinë shumë të ngushtë në të paktën një nga dhomat e Kongresit.

Demokratët thonë se projektligji do të mbronte të drejtën e votës, veçanërisht për pakicat dhe grupet me të ardhura të ulëta. Votuesit me ngjyrë kanë votuar historikisht për kandidatët demokratë.

Projektligji u miratua në Dhomën e Përfaqësuesve të kontrolluar nga demokratët të enjten, por Senati prej 100 anëtarësh aktualisht është i ndarë në mënyrë të barabartë mes demokratëve të partisë së zotit Biden dhe republikanëve.

Demokratët mund të sigurojnë shumicën e thjeshtë për të miratuar projektligje me votën e nënpresidentes Kamala Harris, e cila është presidente e Senatit. Por përpara se një projekt-ligj të hidhet në votë me shumicë të thjeshtë, Senati duhet të votojë për t’i dhënë fund debatit dhe sipas rregullores aktuale, një gjë e tillë kërkon 60 vota.

Kritikët thonë se ky mekanizëm procedurial është antidemokratik dhe pengon qeverinë federale t’u japë zgjidhje problemeve të vendit. Por përkrahësit thonë se rregullat aktuale i detyrojnë anëtarët e Senatit të punojnë për të arritur konsensus për çështje kritike dhe nuk e lejojnë partinë në pushtet të miratojë ndryshime gjithëpërfshirëse.

Udhëheqësit demokratë thonë se duan ta fusin legjislacionin për të drejtat e votës në kategorinë e ligjeve që kanë nevojë vetëm për një shumicë të thjeshtë.

Senatorja demokrate amerikane Kyrsten Sinema tha në një fjalim në Senat të enjten -- më pak se një orë para mbërritjes së zotit Biden – mekanizimi që njihet si “filibuster” është i nevojshëm për të parandaluar thellimin e ndasive politike në vend.

Kreu i republikanëve në Senat, Mitch McConnell, ka paralajmëruar gjithashtu se nëse demokratët arrijnë ta shfuqizojnë rregulloren që kërkon 60 vota, pala e tij do të gjejë mënyra të tjera për të ngadalësuar procedurën në Senat.

Edhe senatori tjetër demokrat Joe Manchin ka shprehur shqetësimin se votimi për elimimin e procedures që kërkon 60 vota, do t'u jepte mundësinë republikanëve të veprojnë si të duan, nëse rimarrin shumicën në zgjedhjet për Kongresin në nëntor.

Udhëheqësi i pakicës në Senat, Mitch McConnell përsëriti të mërkurën se republikanët kundërshtojnë legjislacionin për të drejtat e votës dhe ndryshimet në filibuster./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat