Senati i kthehet debatit për të drejtën e votës

Amerika

Senati i kthehet debatit për të drejtën e votës

Më: 18 janar 2022 Në ora: 20:32
Senator Joe Manchin

Senatorët po kthehen në Uashington nën presion për të miratuar projektligjin për të drejtën e votës përballë kritikave të ashpra nga udhëheqësit e të drejtave civile. Senati do të nisë debatin të martën pasi udhëheqësit e të drejtave civile iu kërkuan senatorëve me ngulm të ndryshojnë rregullat dhe të përfundojnë një procedurë debati të udhëhequr nga republikanët që synon bllokimin e votimit të projektligjit për të drejtën e votës. 

Vëmendja është përqendruar tek demokratët Kyrsten Sinema nga Arizona dhe Joe Manchin nga Virxhinia Perëndimore, të cilët u kritikuan ashpër gjatë ngjarjeve me rastin e Ditës së Martin Luther King Jr. Por ata nuk kanë treguar asnjë shenjë se do të ndryshojnë qëndrim ndaj rregullave që udhëheqësit e të drejtave civile i quajnë të vjetëruara. 

Kjo do të jetë hera e pestë që ky senat do të përpiqet të miratojë legjislacionin për të drejtën e votës, pasi zyrtarët e zgjedhjeve paralajmërojnë se ligjet e reja shtetërore po e bëjnë më të vështirë votimin në disa pjesë të vendit. 

Dhoma e Përfaqësuesve e ka miratuar paketën, por projektligji është bllokuar në senat nga republikanët. Me një ndarje 50-50, demokratët kanë një shumicë të ngushtë në senat - nënpresidentja Kamala Harris mund të thyejë barazimin - por atyre u mungojnë 60 votat e nevojshme për të kapërcyer procedurën e nisur përmes debatit nga republikanët. 

Dikur jo i gatshëm të ndryshonte rregullat e Senatit, Presidenti Joe Biden përdori Ditën e Martin Luther Kingut për t'i bërë presion senatorëve që ta bënin këtë ndryshim. Por shtytja nga Shtëpia e Bardhë, përfshirë fjalimin e ashpër të Biden javën e kaluar në Atlanta, shihet si shumë i vonuar, pasi presidenti përfundon vitin e tij të parë në detyrë me një rënie të popullaritetit. 

Senati po fillon atë që mund të bëhet një debat njëjavor, por rezultati pritet të mos jetë i ndryshëm nga votimet e kaluara të dështuara mbi projektligjin. Bideni nuk ka qenë në gjendje të bindë senatorët Sinema dhe Manchin që të bashkohen me demokratët e tjerë në ndryshimin e rregullave për të ulur pragun e 60 votave. 

Dy senatorët, të dy të moderuar, janë shprehur të hapur për diskutim idesh, por nuk kanë dhënë mbështetjen e tyre. 

Si Joe Manchin ashtu edhe Kyrsten Sinema kanë argumentuar se ruajtja e rregullave të senatit me pragun e 60 votave për të miratuar projektligjin, është i rëndësishëm për nxitjen e bashkëpunimit dypartiakë. Ata paralajmërojnë gjithashtu atë që mund të ndodhte nëse republikanët rifitojnë kontrollin e shumicës, siç është dukshëm e mundur këtë vit zgjedhor, dhe mund të kalojnë lehtësisht projektligjet e mbështetura nga partia e tyre./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat