Administrata Biden, 400 milionë maska ​​falas N95

Amerika

Administrata Biden, 400 milionë maska ​​falas N95

Më: 19 janar 2022 Në ora: 21:51
Kjo do të jetë sasia më e madhe e maskave falas të shpërndara nga qeveria federale për publikun

Duke filluar nga java e ardhshme, administrata Biden do të vendosë në dispozicion të të gjithë amerikanëve 400 milionë maska N95, falas. Vendimi vjen ndërsa autoritetet mjeksore thonë se ato garantojnë mbrojtje më të mirë kundër variantit Omicron të COVID-19-s, krahasuar me maskat prej pëlhure.

Shtëpia e Bardhë njoftoi të mërkurën se maskat do të merren nga Stoku Kombëtar Strategjik, pjesë e infrastrukturës federale të reagimit shëndetësor, i cili ka në dispozicion më shumë se 750 milionë maska që garantojnë mbrojtje të fortë ndaj virusit. Maskat do të jenë të disponueshme në farmaci e qendra shëndetësore komunitare në të gjithë vendin.

Kjo do të jetë sasia më e madhe e maskave falas të shpërndara nga qeveria federale për publikun, që nga fillimi i pandemisë. Në fillim të vitit 2020, administrata e ish-Presidentit Donald Trump shqyrtoi një mundësi të tillë, por më pas hoqi dorë.

Presidenti Joe Biden e përqafoi iniciativën pasi u përball me kritika në rritje këtë muaj mbi pamundësinë për të siguruar maska N95, jo vetëm për shkak të furnizimit të pakët, por edhe kostos së tyre.

Pasi u përball me kritika të ngjashme edhe mbi mungesën e testeve për COVID-19 që përdoren në shtëpi, Presidenti Biden hapi një faqe interneti këtë javë, që i mundëson çdo familje amerikane të porosisë katër teste të shpejta falas. Testet e para do të dërgohen më vonë këtë muaj.

Të premten Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve përditësoi udhëzimet mbi maskat duke sqaruar se maskat e llojit N95 dhe KN95, ofrojnë mbrojtjen më të madhe kundër COVID-19. Megjithatë, agjencia nuk bëri ndonjë rekomandim zyrtar për përdorimin e tyre përpara maskave të thjeshta prej pëlhure./VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat