Dështon përpjekja e demokratëve në Senat për të miratuar projektligjin për të drejtën e votës

Amerika

Dështon përpjekja e demokratëve në Senat për të miratuar projektligjin për të drejtën e votës

Më: 20 janar 2022 Në ora: 16:17
Terri Sewell

Përpjekja njëvjeçare e demokratëve në Senatin amerikan për të rishikuar rregullat e votimit në Shtetet e Bashkuara dështoi të mërkurën pasi dy senatorë demokratë nuk e mbështetën iniciativën e partisë së tyre për ndryshimin e rregullit të miratimit të ligjeve. Udhëheqësit demokratë të Senatit propozuan ndryshimin e procedurës, që përdoret nga pakica për të bllokuar përmes fjalimeve pafund miratimin e projektligjeve, në se nuk ka 60 vota pro në favor të mbylljes së debatit.

Pas disa orësh debati, Senati prej 100 anëtarësh, i ndarë në mënyrë të barabartë, votoi me 51 vota pro dhe 49 kundër, për një rezolutë për ta çuar projekt-ligjin në një votim përfundimtar, shumë larg pragut prej 60 votash të nevojshme për të shmangur bllokimin e tij përmes fjalimeve pafund.

Një propozim i paraqitur më pas nga udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer, për të ndryshuar rregullin e miratimit të ligjeve me 60 vota, u rrëzua me një votim 52-48, pasi dy senatorë demokratë të moderuar, Joe Manchin dhe Kyrsten Sinema, u bashkuan me republikanët, për të kundërshtuar ndryshimin.

Udhëheqësi i pakicës republikane në Senat, Mitch McConnell tha se përpjekja e demokratëve për të ndryshuar rregullin e votimit të ligjeve në Senat nuk ishte gjë tjetër veçse një përpjekje për rrëmbim të pushtetit politik.

"Gjysma prej nesh në këtë anë të krahut politik, sapo kaluam katër vjet në shumicë dhe kishim një president të partisë sonë, që na kërkonte të bënim atë që demokratët po përpiqen ta bëjnë sonte. Përgjigja jonë ishte jo, ne nuk do të dëmtojmë institucionin për të arritur një avantazh afatshkurtër", tha senatori McConnell.

Aktivistët e mbrojtjes së të drejtës së votës thonë se projektligji është i nevojshëm pasi shtetet e udhëhequra nga republikanët në mbarë vendin po miratojnë ligje, që e bëjnë më të vështirë votimin për afrikano-amerikanët dhe pakicat e tjera, duke kërkuar lloje të caktuara kartash identiteti dhe ndryshime të tjera.

Presidenti Joe Biden tha përmes një deklarate pas votimit se ishte "thellësisht i zhgënjyer" për dështimin e Senatit për të miratuar projektligjin.

Por zoti Biden tha se kjo "nuk do t’i frenojë" përpjekjet e tij dhe u zotua "të shqyrtojë çdo masë dhe të përdorë çdo mjet në dispozicion për të mbështetur demokracinë"./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat