SHBA ofron ndihma, por nuk plotëson kërkesat e presidentit Zelensky

Amerika

SHBA ofron ndihma, por nuk plotëson kërkesat e presidentit Zelensky

Më: 17 mars 2022 Në ora: 18:17
Videoja grafike e luajtur nga presidenti Zelensky duket se ka prekur shumë ligjvënës

Presidenti Joe Biden njoftoi 800 milionë dollarë ndihma të reja në fushën e sigurisë për Ukrainën për t’u mbrojut kundër agresionit rus, përveç 200 milionë dollarëve që ai kishte miratoi javën e kaluar. Njoftimi erdhi pas një fjalimi të presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy në Kongresin amerikan të mërkurën. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara njofton.

Luftimet mes forcave ruse dhe ukrainase po intensifikohen në Kiev, Mariupol dhe qytete të tjera të Ukrainës.

“Putini po i shkakton Ukrainës shkatërrime të tmerrshme duke bombarduar ndërtesa apartamentesh, maternitete, dhe spitale”.

Presidenti Joe Biden miratoi 800 milionë dollarë ndihma të reja për Ukrainën, përveç 200 milionë dollarëve që miratoi të shtunën. Këto janë pjesë e një pakete ndihme prej 13.6 miliardë dollarësh që Kongresi amerikan miratoi javën e kaluar.

800 milionë dollarët do të përdoren për transferime të drejtpërdrejta të pajisjeve, duke përfshirë sistemet kundërajrore, dronë të armatosur, armë të vogla, municionet dhe pajisje mbrojtëse trupore.

“Ajo që me të vërtetë po i ndal rusët dhe po i shkakton kosto të konsiderueshme ushtrisë ruse janë këto armë dhe sisteme kundërajrore. Pra, mendoj se ka një arsye taktike dhe praktike që fokusi është përqëndruar në këto sisteme armësh”, thotë Michael Kimmage me Qendrën Wilson.

Më herët të mërkurën, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy iu drejtua praktikisht Kongresit amerikan dhe iu lut presidentit Biden.

"Uroj që të jesh lider i botës. Të jesh lider i botës do të thotë të jesh udhëheqës i paqes".

Pavarësisht kërkesës së presidentit Zelenskyy, Shtetet e Bashkuara nuk kanë pranuar transferimin e avionëve luftarakë dhe as nuk do të mbështesin një zonë ndalim-fluturimi.

“Kërcënimi kryesor për ukrainasit është artileria konvencionale, raketat konvencionale dhe forcat tokësore konvencionale. Një zonë ndalim-fluturimi nuk do të ndikonte tek këto, por do të rrezikonte të përshkallëzonte seriozisht ko fliktin në këmbim të një efekti shumë të vogël në rrjedhën aktuale të ngjarjeve në terren në Ukrainë. Transferimi i avionëve luftarakë polakë te ukrainasit është e njëjta histori”, thotë Stephen Biddle me Këshillin për Marrëdhëniet e Jashtme.

Ndërsa presidenti Biden e ka përjashtuar tashmë një zonë ndalim-fluturimi, sepse mund të çojë në konfrontim të drejtpërdrejtë me Rusinë, ligjvënësit thonë se ka mundësi të tjera.

“Ka sisteme të ndryshme anti-raketore dhe kundërajrore në rajon që mund të jenë efektive – S-300 është një prej tyre. Ata tashmë e kanë dhe dinë ta përdorin. Ata kanë nevojë për më shumë armë për të përdorur sistemet e tyre. Me fjalë të tjera, më shumë raketa, më shumë armatime, ata kanë nevojë për gjithçka. Por menjëherë ajo që duhet të bëjmë është të jemi krijues, të gjejmë mënyra për të lehtësuar transferimin e këtyre armëve në Ukrainë menjëherë.”

Ligjvënësit amerikanë iu përgjigjën pozitivisht thirrjes së presidentit Zelenskyy për rritjen e sanksioneve dhe ndalimin e importeve ruse.

“Ne kemi nevojë të shtrëngojmë sanksionet, dhe të sigurohemi që aleatët tanë janë me ne, sepse mënyra se si funksionojnë sanksionet është me të gjithë aleatët tanë”, tha Gregory Meeks, kryetar i komisionit për madhëniet me jashtë në Dhomën e Përfaqësuesve.

Videoja grafike e luajtur nga presidenti Zelenskyy duket se ka prekur shumë ligjvënës, të cilët thanë se ajo ndryshoi mënyrën se si ata e shikonin luftën.

“Të gjitha vendimet që marrim në qeverinë tonë bazohen në idenë se ata do të humbasin përfundimisht. Unë mendoj se ne duhet ta ndryshojmë këtë mentalitet, veçanërisht pasi ndoqëm fjalimin frymëzues. Ata mund të fitojnë, tha senatori republikan Dan Sullivan.

Të mërkurën, ministrat e mbrojtjes të NATO-s, përfshirë sekretarin amerikan të mbrojtjes Lloyd Austin, u takuan në Bruksel.

Nga frika se Moska mund të zgjerojë sulmin e saj për të synuar territorin e NATO-s, aleanca po harton plane dhe mënyra të reja për të penguar Rusinë, tha sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg.

“Moska duhet ta kete të qartë, pa asnjë keqkuptim, se ne jemi të gatshëm të mbrojmë gjithë aleatët tanë”.

4 miliardë dollarë nga 13.6 miliardë dollarët e miratuar nga Kongresi do të ofrojnë mbështetje humanitare për më shumë se 3 milionë ukrainasit të zhvendosur nga lufta./VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat