Peruja propozon kastrim kimik për pedofilët

Amerika

Peruja propozon kastrim kimik për pedofilët

Më: 19 prill 2022 Në ora: 17:52
Ilustrim

Presidenti i Perusë Pedro Castillo ka propozuar aplikimin e kastrimit kimik për pedofilët teksa ka paralajmëruar ashpërsim të masave ndëshkuese për përdhunuesit e fëmijëve.

“Mjaft me një dhunë të tillë, krimet seksuale ndaj fëmijëve nuk do të tolerohen nga kjo qeveri, as nuk do të mbeten pa u ndëshkuar”, tha Castillo duke iu referuar rastit të fundit të përdhunimit të një 3-vjeçareje në vend.

Tashmë pritet që masa e propozuar nga kreu i shtetit të miratohet nga parlamenti i Perusë.

Castillo iu referua gjithashtu vendeve si Rusia, Polonioa, Koreja e Jugut, Indonezia dhe Moldavia ku kastrimi kimik i përdhunuesve praktikohet me ligj.

Sipas Ministrisë peruane të të Drejtave të Grave, më shumë se 21,000 të mitur kanë renë viktima të përdhunimit në katër vitet e fundit.

Në vitin 2021 janë regjistruar 6929 raste. Në Peru, përdhunuesit e të miturve nën moshën 14 vjeç përballen me burgim të përjetshëm

Çfarë është kastrimi kimik?

Kastrimi, termi i të cilit në shqip është tredhje, është praktika e heqjes, regjimit ose mpirjes së organeve mashkullore të një kafshe ose njeriu, me qëllim që ta bëjë të paaftë të kryejë marrëdhënie seksuale ose të krijojë pasardhës.

Kastrimi kimik konsiston në përdorimin e medikamenteve të ndryshme për të zvogëluar dëshirën dhe aktivitetin seksual. Kastrimi kimik përgjithësisht realizohet në cikle, megjithëse efektet kanë prirjen të jenë të përhershme në trup.

Në maj të vitit 2016, New York Times raportoi një numër të madh vendesh që përdorin pastrimin kimik ndaj abuzuesve seksualë.

Përdorimi i kastrimit kimik në Europë

Kastrimi kimik është përdorur në Europë vite më parë, fillimisht jo për abuzuesit seksualë.

Në vitit 1952, në Mbretërinë e Bashkuar, Alan Turing, i njohur për kontributet e tij në matematikë dhe shkencat kompjuterike, u shpall fajtor sepse kishte kryer marrëdhënie homoseksuale dhe pranoi kastrimin kimik për të shmangur burgun.

Në vitet 1960, Gjermania përdori kastrimin kimik për trajtimin e parafilisë seksuale, përvoja, fantazi dhe sjellje seksuale të pazakonta.

Në vitin 2008, pati një eksperiment në burgjet portugeze për përdorimin e kastrimit kimik, që më pas përfshiu edhe vendet e rehabilitimit.

Në shtator të 2009-s, Polonia i dha fuqi ligjore kastrimit kimik ndaj pedofilëve dhe ligji hyri në fuqi në vitin 2010.

Në vitin 2012, Moldavia njohu me ligj kastrimin kimik ndaj pedofilëve. Dy vite më vonë, Estonia aprovoi kastrimin vullnetar kimik si një alternativë e burgimit, por përdoret rrallë si praktikë.

Në 2013-n, Maqedonia e Veriut propozoi kastrimin vullnetar të abuzuesve seksualë dhe nëse përsëritet vepra penale, kastrimi është i detyrueshëm.

Vende të tjera ku aplikohet kastrimi kimik: SHBA, Koreja e Jugut, Rusia, Zelanda e Re, Indonezia, Izreli, India etj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat