SHBA, një milion të vdekur nga COVID-19

Amerika

SHBA, një milion të vdekur nga COVID-19

Më: 16 maj 2022 Në ora: 20:57
Foto ilustrim

Në Shtetet e Bashkuara numri i vdekjeve nga COVID-19 arriti 1 milion të hënën, një shifër dikur e paimagjinueshme që ka tronditur dhe pikëlluar mijëra njerëz që kanë humbur njerëzit e tyre.

Numri i konfirmuar i vdekjeve nga COVID-i është i barabartë me numrin e amerikanëve që humbën jetën gjatë Luftës Civile dhe Luftës së Dytë Botërore të marra së bashku. Është njëlloj sikur Bostoni dhe Pitsburgu të shfaroseshin.

“Është e vështirë të imagjinosh një milion njerëz të zhdukur nga kjo tokë”, tha Jennifer Nuzzo, e cila drejton një qendër të re pandemie në Shkollën e Shëndetit Publik të Universitetit Brown në Providence të shtetit Rhode Island. “Kjo ende po ndodh dhe ne po e lëmë të ndodhë”.

Shumë njerëz që kanë humbur të dashurit e tyre thonë se nuk mund të kthehen në normalitet. Ata dëgjojnë zërat e regjistruar të njerëzve të tyre të humbur ose shikojnë filmimet me ta. Kur njerëzit e tjerë shprehen se kanë mbaruar punë me virusin, ata mbushen me zemërim ose pikëllohen në heshtje.

“Normalitet. Unë e urrej atë fjalë”, thotë 55 vjeçarja Julie Wallace nga Elyria, Ohio, e cila humbi burrin e saj nga COVID-19 në vitin 2020. “Ne nuk mund të kthehemi kurrë në normalitet”.

Tre nga çdo katër vdekje u regjistruan tek grupmosha 65 vjeç e lart. Më shumë burra humbën jetën sesa gra. Në përgjithësi, shumica e të vdekurve ishin të bardhë. Por popullsitë me ngjyrë, hispanikët dhe indigjenët kanë pasur afërsisht dy herë më shumë gjasa të vdesin nga COVID-19 sesa popullsia e bardhë.

Shumica e vdekjeve ndodhën në zonat urbane, por vendet rurale që ishin kundër maskave në disa raste paguan një çmim të lartë.

Numri i vdekjeve, që nga shpërthimi i pandemisë e deri më sot, bazohet në të dhënat nga çertifikatat e vdekjes të mbledhura nga Qendra Kombëtare për Statistikat Shëndetësore të Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, CDC.

Por numri i saktë i jetëve të humbura nga COVID-19, në mënyrë të drejtpërdrejt ose indirekte, si rezultat i mbingarkesës së sistemit të kujdesit shëndetësor në vendin më të pasur në botë, besohet të jetë shumë më i lartë.

Shtetet e Bashkuara kanë numrin më të lartë të vdekjeve të raportuara nga COVID-19 sesa çdo vend tjetër, megjithëse ekspertët e shëndetit kanë shprehur dyshime prej kohësh se numri real i vdekjeve në vende si India, Brazili dhe Rusia është më i lartë se shifrat zyrtare.

Ky moment historik vjen pak më shumë se tre muaj që kur Shtetet e Bashkuara shënuan 900,000 të vdekur. Ritmi është ngadalësuar që nga rritja e madhe e dimrit e shkaktuar nga varianti Omicron.

Mesatarisht në Shtetet e Bashkuara rreth 300 njerëz humbasin jetën nga COVID-19, krahasuar me 3,400 në ditë gjatë janarit të vitit 2021.

Ndërkohë rastet e reja po shtohen përsëri, një rritje prej më shumë se 60% gjatë dy javëve të fundit në një mesatare prej rreth 86,000 në ditë. Niveli më i lartë i infektimeve arriti gjatë periudhës së dimrit me mbi 800,000 në ditë.

Një javë më parë, Katredalja Kombëtare e Uashingtonit i ra këmbanës 1,000 herë, një herë për çdo 1,000 vdekje. Presidenti Joe Biden dha urdhër të enjten që flamujtë të ulen në gjysmë shtizë dhe e quajti çdo jetë “një humbje të pazëvendësueshme”.

“Si komb, ne nuk duhet të mpihemi nga një pikëllim i tillë. Për t'u shëruar, duhet t’i ruajmë ata në kujtesën tonë”, tha Presidenti Biden.

Më shumë se gjysma e vdekjeve ndodhën pas daljes së vaksinës në dhjetor të vitit 2020. Dy të tretat e amerikanëve janë plotësisht të vaksinuar dhe gati gjysma e tyre kanë marrë të paktën një dozë përforcuese. Por kërkesa ka rënë dhe fushata për vaksinimin është goditur rëndë nga keqinformimi, mosbesimi dhe polarizimi politik.

Njerëzit e pavaksinuar kanë një rrezik 10 herë më të madh për të vdekur nga COVID-19 sesa të vaksinuarit plotësisht, sipas të dhënave nga CDC./VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat