Presidenti Biden rikthen forcat amerikane në Somali

Amerika

Presidenti Biden rikthen forcat amerikane në Somali

Më: 16 maj 2022 Në ora: 20:58
Gjatë ceremonisë së tërheqjes së forcave amerikane nga Somalia në fund të vitit 2020

Presidenti Joe Biden ka autorizuar ridërgimin në Somali të deri në 500 forcave amerikane, thanë të hënën zyrtarë amerikanë. Ish-Presidenti Donald Trump kishte urdhëruar tërheqjen e tyre gjatë presidencës së tij.

Deri në momentin e dhënies së urdhërit të tërheqjes, Shtetet e Bashkuara kishin në Somali rreth 700 ushtarakë që ndihmonin forcat vendase për të mposhtur rebelimin e grupit al Shabaab që kishte lidhje me al Kaidën.

"Presidenti Biden ka miratuar një kërkesë nga Sekretari i Mbrojtjes për të rivendosur një prani të vazhdueshme ushtarake amerikane në Somali, për të mundësuar një luftë më efektive kundër al Shabaabit", tha një zyrtar i lartë i administratës, duke folur në kushte anonimiteti.

"Ky është një ripozicionim i forcave të gjendura tashmë në zonë që kanë udhëtuar brenda dhe jashtë Somalisë sipas nevojës, që kur administrata e mëparshme mori vendimin për t'i tërhequr", shtoi zyrtari.

Prezenca e re do të përfshijë më pak se 500 forca amerikane, tha një tjetër zyrtar amerikan.

Zyrtari tha se politika amerikane që filloi nën drejtimin e ish-Presidentit Trump, për rotacionin e forcave brenda dhe jashtë vendit, kishte krijuar "rreziqe në mbrojtjen e forcave" dhe se Presidenti Biden "e mori vendimin për të rritur sigurinë dhe efektivitetin e forcave tona speciale".

Image
Një snajper i forcave speciale amerikane gjatë një misioni në Somali (28 qershor 2020)

Grupi Al Shabaab kërkon të rrëzojë qeverinë dhe të vendosë sundimin e tij në Somali, bazuar në interpretimin e rreptë të ligjit islamik të Sheriatit.

Grupi kryengritës kryen shpesh sulme me bomba në Mogadishu dhe më gjerë, si pjesë e luftës së tij kundër qeverisë qendrore.

Somalia ka përjetuar konflikte dhe beteja klanore pa një qeveri të fortë qendrore që nga rënia e diktatorit Mohamed Siad Barre në vitin 1991. Qeveria ka pak kontroll përtej kryeqytetit dhe kontingjenti i Bashkimit Afrikan ruan në një "Zonë të Gjelbër", sipas modelit të Irakut.

Megjithëse Shtetet e Bashkuara nuk kanë patur më forca ushtarake në Somali që kur ish-Presidenti Trump urdhëroi tërheqjen e tyre në dhjetor 2020, ushtria herë pas here ka kryer sulme në vend dhe ka pasur forca të pranishme në vendet fqinje./VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat