Biden: Secili duhet të jetë i shqetësuar për linë e majmunëve

Amerika

Biden: Secili duhet të jetë i shqetësuar për linë e majmunëve

Më: 22 maj 2022 Në ora: 10:00
Presidenti amerikan, Joe Biden.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se “secili duhet të jetë i shqetësuar” për shpërthimin global të lisë së majmunëve, pasi po shtohet numri i rasteve me këtë virus.

“Jemi duke punuar shumë për të kuptuar se çfarë duhet të bëjmë”, u ka thënë Biden gazetarëve më 22 maj, teksa është nisur nga Koreja Jugore për në Japoni.

Komentet e tij kanë ardhur teksa virusi vazhdon të përhapet dhe Izraeli e Greqia janë dy shtete që kanë raportuar rastet e para.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka identifikuar rreth 80 raste me linë e majmunëve në gjithë botën, si dhe rreth 50 raste të dyshimta.

Kjo sëmundje infektuese është raportuar më herët vetëm në mesin e njerëzve me lidhje në Afrikën Qendrore dhe atë Perëndimore.

Mirëpo në javët e fundit ka pasur raportime për raste të tilla në Britani, Spanjë, Portugali, Itali, Shtetet e Bashkuara, Suedi, Kanada, Australi dhe vende tjera.

Virusi është identifikuar fillimisht te kafshët e egra dhe përcillet me gunga në trup, ethe dhe temperaturë.

Shkalla e vdekshmërisë nga kjo sëmundje është nga 1 deri në 10 për qind, dhe shumica e vdekjeve raportohen te pacientët e rinj.

Aktualisht nuk ka trajtim për linë e majmunëve, mirëpo vaksinat kundër llojeve tjera të lisë besohet se ofrojnë mbrojtje nga ky virus./REL

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat