Shtëpia e Bardhë përshëndet hapin e parë drejt forcimit të ligjeve për shitjen e armëve

Amerika

Shtëpia e Bardhë përshëndet hapin e parë drejt forcimit të ligjeve për shitjen e armëve

Më: 14 qershor 2022 Në ora: 16:30
Foto ilustrim

Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Joe Biden dëshiron që ligjvënësit të miratojnë me shpejtësi një marrëveshje dypartiake të arritur pas pothuajse një muaj negociatash, që synon forcimin e ligjeve të kontrollit të armëve në ShBA, përmirësimin e sigurisë në shkolla dhe shtimin e shërbimeve për trajtimin e shëndetit mendor. 

Thirrja e Presidentit Biden vjen pas një vale sulmesh me armë në Shtetet e Bashkuara, ku humbën jetën dhjetëra amerikanë, shumica prej të cilëve fëmijë. Vrasjet janë kryer me armë luftarake sulmuese, por që autorët i kishin siguruar në mënyrë të ligjshme.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre tha se korniza ligjore e prezantuar nga përfaqësues të të dy partive do ta ndihmonte Presidentin Biden të mbajë premtimin, që u ka dhënë prindërve në Uvalde të Teksasit – ku 19 fëmijë dhe dy mësues u vranë më 24 maj, në sulmin e kryer nga një person i pajisur me armë automatike brenda një shkolle fillore.

“Ne besojmë dhe vetë presidenti e ka thënë se kjo është një marrëveshje historike dhe legjislacioni më domethënës që kemi parë në mbi 20 vite, për të ulur dhunën me armë. Është një marrëveshje dypartiake. Presidenti është i kënaqur me përparimin në këtë drejtim. Qëllimi është për të shpëtuar jetë. Prandaj, presidenti dëshiron ta shoh Kongresin në veprim. Ai e do ligjin në zyrën e tij sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha ajo. 

Ligjvenësit demokratë thanë se kjo përpjekje është vetëm hapi i parë. 

Udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer tha se “ky është një hap i parë i mirë dhe i nevojshëm drejt ndryshimit të realitetit të dhunës me armë në Amerikë, që do të hedhë themelet për veprimet e ardhshme”. 

Por marrëveshja nuk parashikon kërkesën e Presidentit Biden për të ndaluar shitjen e armëve automatike, të cilat në shumë raste janë armë të preferuara nga sulmuesit në Shtetet e Bashkuara. 

Ligjvënësit negociuan ppër këtë marrëveshje për pothuajse një muaj, pas tre sulmeve tronditëse me armë në Teksas, Nju Jork dhe Oklahoma./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat