Vijimi i seancave dëgjimore të komisionit për ngjarjet e 6 janarit

Amerika

Vijimi i seancave dëgjimore të komisionit për ngjarjet e 6 janarit

Më: 20 qershor 2022 Në ora: 16:43
Foto nga vendi i ngjarjes

Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve që heton sulmin e 6 janarit 2021 në kongres do të mbajë seancën e radhës të martën. Komisioni do të vazhdojë të sjellë dëshmi kundër ish-Presidentin Donald Trump, me theksin se pretendimet e tij të pabaza dhe të përsëritura për zgjedhje të vjedhura i nxitën përkrahësit e tij në dhunë. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Arash Arabasadi seanca e fundit dëgjimore shqyrtoi fushatën e trysnisë të zotit Trump kundër ish-nënpresidentit, Mike Pence, për të përmbysur në mënyrë të paligjshme rezultatet e zgjedhjeve.

Seanca dëgjimore e së enjtes së kaluar nga Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve të 6 janarit kërkoi të tregonte se sa rrezikshëm iu afrua një turmë e dhunshme nënpresidentit të atëhershëm Mike Pence dhe familjes së tij. Pamjet e sigurisë së Kapitolit tregojnë turmën brenda gati dhjetë metra nga ish-nënpresidenti. Anëtarët e komisionit thonë se ish-presidenti Donald Trump nxiti turmën të shkonte në Kapitol duke përdorur pretendimin e rreme se në njëfarë mënyre, Mike Pence mund të përmbyste i vetëm rezultatin e zgjedhjeve.

“Ajo që njerëzit duhet të veçojnë nga këto seanca është se sa shumë ishte presidenti i përfshirë në ngjarjet e 6 janarit. Si arritëm në një pozitë ku kaq shumë njerëz sulmuan Kapitolin, sepse sinqerisht besonin se zgjedhjet ishin vjedhur. Dhe këtë dua të shohin njerëzit – presidenti e dinte çfarë po bënte. Kishte një plan”, thotë ligjvënësi republikan Adam Kinzinger.

Ligjvënësi Kinzinger foli mbi një letër të dërguar së fundmi me postë në shtëpinë e tij ku ai kërcënohej se do të ekzekutohej së bashku me gruan e tij dhe foshnje e tyre pesë muajshe.

Të premten, ish-presidenti Trump, në Konferencën e Koalicionit Besim dhe Liri në Nashville, e quajti komisionin një manipulim politik.

“Është një komision i njëanëshëm. Është një marrëveshje e manipuluar. Është një turp dhe nuk ka ndodhur kurrë në historinë e vendit tonë ku të mos kemi pasur… përfaqësim. Ata thonë se kanë republikanë në komison. Kush janë ata? 'Liz Cheney, dhe Adam Kinzinger, që qan sa herë që flet”, tha ish presidenti.

Komisioni ka shfaqur shumë filmime nga 6 janari, përfshi zërin e regjistruar nga bashkëpunëtorët e dyshuar në planin për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve.

“Gjithçka që kërkojmë nga nënpresidenti Pence është që sot pasdite në orën një, të lejojë legjislaturat e shteteve të shqyrtojnë rezultatet, t’i shkojmë deri në fund kësaj çështjeje dhe populli amerikan e di nëse ka apo nuk ka kontroll në drejtimin e qeverisë sonë”, thotë avokati John Eastman më 6 janar.

Nënkryetarja e Komisionit, ligjvënësja republikane Liz Cheney përsëriti akuzën se Trumpi e dinte se pretendimet e tij për zgjedhje të vjedhura ishin të rreme. Ajo luajti këtë regjistrim nga një prej ish avokatëve të Shtëpisë së Bardhë, Eric Herschmann, duke kujtuar një bisedë më 7 janar me avokatin John Eastman.

“Ai filloi të më pyeste për diçka që kishte të bënte me rezultatin në shtetin e Xhorxhias dhe të ruante diçka potencialisht për apel. Dhe unë i thashë: "A e ke seriozisht? Dua të dëgjoj vetëm dy fjalë që të dalin nga goja jote që tani e tutje: tranzicion i rregullt"…

Duke iu referuar kështu transferimit paqësor të pushtetit. Zoti Trump u bë presidenti i parë në largim në më shumë se një shekull që anashkaloi inaugurimin e pasuesit të tij./VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat