​Biden i kërkon Kongresit ta pezullojë taksën e karburantit

Amerika

​Biden i kërkon Kongresit ta pezullojë taksën e karburantit

Më: 22 qershor 2022 Në ora: 19:49
Joe Bide

Presidenti i SHBA-së Joe Biden i kërkoi sot Kongresit të miratojë një pezullim tre-mujor të taksës federale të karburantit, në mënyrë që të ulë çmimet rekord në pikat e karburantit dhe të ndihmojë familjet amerikane gjatë verës.

Biden u bëri thirrje gjithashtu shteteve individuale federale që të heqin përkohësisht taksat e tyre shtetërore të karburantit, të cilat shpesh janë më të larta se ato federale, dhe u kërkoi prodhuesve më të mëdhenj të naftës të paraqesin ide se si të rinovojnë kapacitetet e rafinimit të naftës në takimin e ardhshëm me Ministren e Energjisë Jennifer Grenholm.

Heqja e përkohshme e taksës federale për benzinën prej 18,4 cent për galon (rreth 3,8 litra) dhe 24,4 për naftën, kërkon miratimin e Kongresit, prandaj kërkesa e Bidenit është kryesisht simbolike, transmeton Zëri i Amerikës.

Disa shtete, si Nju Jorku dhe Konektikati, kanë hequr tashmë përkohësisht taksat shtetërore të karburantit, ndërsa të tjerë kanë shqyrtuar ide të tilla si rimbursimet dhe ndihma direkte.

Rafineritë po përpiqen të plotësojnë kërkesën globale për naftë dhe benzinë, duke çuar në rritje të mëtejshme të çmimeve dhe mungesa.

Çmimet mesatare të karburanteve në stacionet e karburantit janë aktualisht afër pesë dollarë për galon, dhe kërkesa në rritje ka përkuar me një humbje prej rreth një milion fuçi në ditë të kapacitetit të prodhimit.

Në tri vjetët e fundit, shumë fabrika janë mbyllur pasi kërkesa ka rënë në kulmin e pandemisë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat