Bennett, kandidatja e Bidenit për të drejtuar USAGM fiton miratimin e Komisionit të Senatit

Amerika

Bennett, kandidatja e Bidenit për të drejtuar USAGM fiton miratimin e Komisionit të Senatit

Më: 24 qershor 2022 Në ora: 23:17
Amanda Bennett

Komisioni i Marrëdhënieve me Jashtë në Senatin amerikan ka miratuar kandidaten e Presidentit Joe Biden për të kryesuar Agjencinë Amerikane për Median Globale (USAGM), duke i hapur rrugën ish-drejtoreshës së Zërit të Amerikës, Amanda Bennett, që të përballet me një votim konfirmimi përfundimtar në Senat. 

Zoti Juan Pachon, drejtor i komunikimit për shumicën demokrate të komisionit, i tha Zërit të Amerikës se komisioni miratoi nominimin e zonjës Bennett "në bllok" në një takim të enjten në Kapitol, që do të thotë se ajo ishte një nga disa kandidaturat për postet qeveritare që siguruan miratimin në grup. 

USAGM është agjencia mëmë e Zërit të Amerikës. 

Zoti Pachon tha se miratimi i zonjës Bennett dhe pesë kandidatëve për ambasadorë të SHBA ishte pjesë e një "marrëveshjeje më të gjerë" të propozuar nga kryetari demokrat i komisionit Bob Menendez. 

“Si rezultat, nuk pati asnjë votim të veçuar,” tha ai. Zoti Pachon nuk shtjelloi se çfarë përfshinte marrëveshja ose se kur do të ketë një votim përfundimtar në Senatin e kontrolluar nga demokratët. 

Meqë asnjë demokrat i Senatit nuk shprehu publikisht kundërshtimin ndaj emërimit të zonjës Bennett, konfirmimi i saj duket i mundshëm. 

Duke folur për Zërin e Amerikës jashtë sallës së mbledhjeve të Kapitolit pas punimeve, senatori republikan Marco Rubio tha se nuk kishte dëgjuar që emri i zonjës Bennett të ishte diskutuar. 

Zonja Amanda Bennett, një gazetare fituese e çmimit Pulitzer, ka shërbyer më parë si drejtore e Zërit të Amerikës nga viti 2016 deri në vitin 2020. Ajo dha dorëheqjen nga ky post në qershor 2020, disa ditë përpara se zoti Michael Pack, i nominuar si drejtor ekzekutiv i USAGM-it nga Presidenti i atëhershëm Donald Trump, të merrte detyrën pasi mori konfirmimin e Senatit. 

I pyetur se çfarë mendonte për nominimin e zonjës Bennett, Senatori Rubio tha: "Kisha disa pyetje në lidhje me mënyrën se si (Zëri i Amerikës) e trajtoi intervistën me disidentin e njohur kinez kur ajo ishte drejtore atje. Por në fund, ju e dini, nuk pati votim individual për emërimin e saj, kështu që u miratua”, tha ai. 

Senatori Rubio i referohej vendimit të zonjës Bennett të vitit 2017 për të shkurtuar një intervistë të planifikuar tre-orëshe, drejtpërdrejt nga Shërbimi Mandarin i Zërit të Amerikës me miliarderin kinez në mërgim dhe kritikun e njohur të Pekinit Guo Wengui, dhe për të shkarkuar shefen e atëhershme të Shërbimit Mandarin Sasha Gong dhe punonjës të tjerë që kishin kundërshtuar udhëzimet në lidhje me kohëzgjatjen dhe trajtimin e intervistës. 

Kritikët e zonjës Bennett e akuzuan atë se iu nënshtrua presionit të qeverisë kineze për t'i mbyllur gojën zotit Guo. Por zyra e Zërit të Amerikës për marrëdhëniet me publikun tha se rishikimi i incidentit nga palët e treta “arrin në përfundimin se vendimi për të kufizuar intervistën e drejtpërdrejtë ishte bazuar vetëm dhe në përputhje me praktikat më të mira gazetareske”. 

Duke iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me perspektivat e zonjës Bennett për t'u konfirmuar nga Senati i plotë, zoti Rubio tha: "Çdo (senator) mund të bllokojë çdo kandidat për çfarëdo arsye. Nuk e di nëse Senati do të votojë për të individualisht, apo nëse do të jetë pjesë e një pakete (votimi) menjëherë para pushimeve verore”. 

Kongresi do të jetë në pushim nga 8 gushti deri më 6 shtator. 

Zoti Pachon nuk iu përgjigj një kërkese të Zërit të Amerikës për koment nga Senatori Menendez në lidhje me zonjën Bennett që mori një rekomandim të favorshëm nga komisioni i Senatit. 

Shtëpia e Bardhë përmendi karrierën e gjatë të zonjës Bennett në mediat amerikane dhe katër vitet e saj si drejtoreshë e Zërit të Amerikës kur e nominoi atë për rolin e drejtueses ekzekutive të USAGM nëntorin e kaluar. Ajo ka shërbyer si redaktore ekzekutive në rrjetin “Bloomberg News” dhe ishte redaktore menaxhuese e gazetës Oregonian. Ajo gjithashtu ka qënë gazetare për “The Wall Street Journal” për më shumë se dy dekada, edhe ka qënë korrespondente në Pekin. 

Pasi zonja Bennett dha dorëheqjen si drejtore e Zërit të Amerikës në qershor 2020, zoti Pack emëroi Robert Reilly-n në dhjetor 2020 për ta pasuar atë. Pak minuta pasi zoti Joe Biden u betua si president më 20 janar 2021, ai kërkoi dhe mori dorëheqjen e zotit Pack dhe emëroi drejtoren e atëhershme të programeve të Zërit të Amerikës Kelu Chao si ushtruesen e detyrës së shefes ekzekutive të USAGM-it. Zonja Chao shkarkoi zotin Reilly si drejtor të Zërit të Amerikës një ditë më vonë. 

Zonja Bennett është përballur me kritika nga disa republikanë që nga seanca e konfirmimit të saj më 7 qershor, kur ajo i tha Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit se do t’i jepte shtytje misionit të objektivitetit dhe raportimit të balancuar të USAGM-it në një kohë kur dezinformimi është në rritje në mbarë botën./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat