Biden: Pandemia e COVID-19 ka përfunduar në SHBA

Amerika

Biden: Pandemia e COVID-19 ka përfunduar në SHBA

Më: 20 shtator 2022 Në ora: 07:54
Presidenti amerikan, Joe Biden.

Presidenti amerikan, Joe Biden, e ka shpallur të përfunduar pandeminë e koronavirusit në Shtetet e Bashkuara.

Biden ka thënë se ndonëse “ende kemi probleme”, situata është duke u përmirësuar shpejt.

Statistikat tregojnë se mesatarisht rreth 400 amerikanë janë duke vdekur çdo ditë nga koronavirusi.

Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka thënë javën e kaluar se po i shihet fundi pandemisë.

Në një intervistë për programin televiziv, 60 Minuta, në rrjetin CBS, Biden ka thënë se Shtetet e Bashkuara ende janë duke bërë “shumë punë” për ta kontrolluar virusin.

Intervista – e transmetuar përgjatë fundjavës – është incizuar pjesërisht në një panair të makinave në Detroit, ku presidenti amerikan është parë duke ua bërë me dorë pjesëmarrësve.

“Siç po e shihni, askush nuk është duke vendosur maskën”, ka thënë ai.

“Secili po duket në formë të mirë.. Mendoj se po ndryshon”.

Megjithatë, zyrtarë të administratës Biden, u kanë thënë mediave se komentet e presidentit nuk nënkuptojnë se do të ketë ndryshim të politikave, dhe se nuk ka plane për të pezulluar gjendjen e emergjencës publike, të vendosur për shkak të koronavirusit.

Zyrtarët amerikanë kanë zgjatur deri më 13 tetor këtë masë, e cila është zbatuar prej janarit të vitit 2020.

Deri më tani, më shumë se një milion amerikanë kanë vdekur nga koronavirusi.

Të dhënat e Universitetit Johns Hopkins, tregojnë se mesatarja shtatëditore e vdekjeve qëndron në 400, pasi mbi 3.000 persona kanë vdekur vetëm javën e kaluar.

Për krahasim, në janar të vitit 2021, më shumë se 23.000 persona janë raportuar të vdekur nga ky virus, brenda një jave.

Rreth 65 për qind e popullsisë amerikane konsiderohet e vaksinuar plotësisht.

Aktualisht vaksinimi është i detyrueshëm për punëtorët e sektorit shëndetësor, personelin ushtarak dhe disa shtetas joamerikanë që hyjnë në SHBA përmes aeroplanit.

Disa republikanë e kanë kritikuar presidentin Biden për deklaratat e fundit.

Sipas ish-Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, “Biden ka thënë se ‘pandemia ka mbaruar’ teksa është duke përjashtuar dhjetëra mijëra ushtarë të shëndetshëm nga ushtria për shkak të vendimit për vaksinim”.

Zyrtarë të shëndetit publik kanë thënë se duhet pasur kujdes me dozat e optimizmit.

Shefi i Institutit Kombëtar për Alergji dhe Sëmundje Infektive, Anthony Fauci, e ka pranuar se situata është përmirësuar.

Mirëpo në disa komente të bëra në një institut në Uashington, ai ka thënë se shkalla e vdekjeve është “e lartë”.

“Nuk jemi aty ku duhet të jemi nëse do të na duhet të jetojmë me këtë virus”, ka thënë Fauci.

Sipas tij, ende mund të shfaqen variante të reja të koronavirusit, sidomos në muajt e dimrit.

Pandemia vazhdon të ketë ndikim të madh në ekonominë amerikane, pasi Byroja Kombëtare për Hulumtime Ekonomike, ka raportuar javën e kaluar se sëmundjet e lidhura me koronavirus, e kanë dëmtuar fuqinë punëtore në SHBA për 500.000 vende pune.

Biden ka thënë se beson që pandemia ka pasur ndikim të madh në psikikën e amerikanëve.

“Ajo ka ndryshuar gjithçka… qasjen e njerëzve ndaj vetes, familjes, shtetit, kombit dhe komunitetit”, ka thënë ai.

“Ka qenë kohë shumë e vështirë. Shumë e vështirë”.

Për koronavirusin e ri, që shkakton sëmundjen COVID-19, është raportuar për herë të parë në dhjetor të vitit 2019 në Vuhan të Kinës.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e pati shpallur koronavirusin si pandemi më 11 mars të vitit 2020.

Më shumë se 6.5 milionë njerëz kanë vdekur prej shpërthimit të pandemisë në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar numrin më të madh të viktimave, të përcjella nga India dhe Brazili./REL

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat