Presidenti Biden: ende i vlefshëm plani për tavan çmimi për naftën ruse

Amerika

Presidenti Biden: ende i vlefshëm plani për tavan çmimi për naftën ruse

Më: 24 nëntor 2022 Në ora: 18:46
Joe Biden

NANTUCKET, Masaçusets – Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden tha të enjten se tavanet e çmimit për naftën ruse, të propozuara nga vendet e G7ës, po vazhdojnë të shqyrtohen. Ai shtoi se bisedoi me Sekretaren e Thesarit, Janet Yellen, për këtë çështje.

“Po, janë ende të vlefshme”, u tha Presidenti Biden gazetarëve gjatë një vizite me rastin e Festës së Falenderimeve në një stacion zjarrfikësish në Ishullin Nantucket.

Qeveritë e Bashkimit Evropian pritej të rifillonin bisedimet mbrëmjen e së enjtes apo të premten, pasi nuk arritën një marrëveshje të mërkurën për nivelin e tavanit të çmimit që i duhet vendosur naftës ruse që transportohet nga deti.

Administrata e Presidentit Biden e percepton kufizimin e çmimeve si një mënyrë për t’i ulur Rusisë të ardhurat nga nafta, që është një burim kryesor financimi i luftës që ajo po bën në Ukrainë, por ndërkohë dëshiron të ruajë vazhdimësinë e furnizimit dhe të shmangë rritjen e mëtejshme të çmimeve.

Grupi i Shtatëshes (G7), ku marrin pjesë edhe Shtetet e Bashkuara, si dhe i gjithë Bashkimi Evropian dhe Australia, pritet të zbatojnë më 5 dhjetor tavanin e çmimit për naftën ruse që eksportohet përmes detit.

Rreth 70% - 85% e naftës së papërpunuar eksportohet nga Rusia në anije me kontenierë. Thelbi i vendosjes së tavanit të çmimit është se ndalon transportin, sigurimin dhe ri-sigurimin nga kompanitë e siguracioneve për ngarkesat e naftës së papërpunuar ruse në mbarë globin, nëse nuk shitet nën çmimin e vendosur nga G7 dhe vendet aleate./VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat