Mijëra protestues në Peru përplasen me policinë

Amerika

Mijëra protestues në Peru përplasen me policinë

Më: 25 janar 2023 Në ora: 14:35
Peru

Mijëra protestues dolën në rrugët e kryeqytetit Lima të Perusë prej ku u pritën me gaz lotsjellës dhe u përplasën me forcat e sigurisë, vetëm disa orë pasi presidentja Dina Boluarte bëri thirrje për një "armëpushim" pas dy muajsh protesta.

Kjo ishte demonstrata më e madhe dhe më e dhunshme që nga e enjtja e kaluar, kur protestuesit kërkuan dorëheqjen e Boluartes, shpërndarjen e Kongresit dhe zgjedhje të menjëhershme.

Pavarësisht thirrjes për një armëpushim, shumë protestues, si Blanca Espana Mesa, mendojnë se presidentja nuk është treguar e sinqertë.

"Ne nuk mund të kemi një armëpushim kur ajo nuk e thotë të vërtetën", tha protestuesja.

Të martën, policia hodhi gaz lotsjellës teksa bllokoi kalimin e protestuesve, të cilët dukeshin më të organizuar se në protestat e kaluara, raporton Asocciated Press.

“Vrasës”, bërtitën protestuesit, disa prej të cilëve hodhën gurë në drejtim të policisë.

Edhe pasi shumica e protestuesve ishin larguar, policia vazhdoi të hidhte gaz lotsjellës për të shpërndarë grupe të vogla njerëzish në një shesh përpara Gjykatës së Lartë të vendit.

Para javës së kaluar, shumica e protestave të mëdha antiqeveritare u zhvilluan në rajone të largëta të Perusë, duke nxjerrë në pah një ndarje midis kryeqytetit dhe fshatit në vend.

Që nga fillmi i protestave anti-qeveritare në Peru, 56 njerëz kanë vdekur, 45 prej të cilëve vdiqën në përleshje të drejtpërdrejta me forcat e sigurisë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat