Pas rrëzimit të balonës, Kina refuzoi një telefonatë mes Sekretarit të Mbrojtjes, Austin dhe homologut të tij kinez

Amerika

Pas rrëzimit të balonës, Kina refuzoi një telefonatë mes Sekretarit të Mbrojtjes, Austin dhe homologut të tij kinez

Më: 8 shkurt 2023 Në ora: 06:50
Pat Ryder

Kina refuzoi një kërkesë për një telefonatë midis Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Lloyd Austin dhe ministrit kinez të Mbrojtjes Wei Fenghe pasi Uashingtoni rrëzoi një balonë kineze përgjimi, tha të martën një zëdhënës i Pentagonit.

Një avion luftarak i Forcës Ajrore të SHBA-së rrëzoi balonën në brigjet e Karolinës së Jugut të shtunën, një javë pasi ajo hyri për herë të parë në hapësirën ajrore të Shteteve të Bashkuara, duke shkaktuar një dramë publike spiunazhi që përkeqësoi marrëdhëniet mes dy vendeve.

Pentagoni bëri kërkesën për një telefonatë të sigurt të shtunën pasi balona u rrëzua, tha në një deklaratë zëdhënësi i Pentagonit, gjeneral brigade Pat Ryder.

"Fatkeqësisht Kina e refuzoi kërkesën tonë. Angazhimi ynë për të hapur linjat e komunikimit do të vazhdojë," tha zëdhënësi Ryder.

Balona shkaktoi reagime të forta politike në Uashington dhe kryediplomati amerikan, Antony Blinken, lajmëroi shtyrjen për një moment tjetër të një vizite në Pekin, që të dyja vendet kishin shpresuar se do të ndihmonte për përmirësimin e marrëdhënieve të tyre të vështira.

Kina ka thënë se bëhej fjalë për një balonë meteorologjike që kishte ndryshuar gabimisht drejtim duke përfunduar në hapësirën ajrore të Shteteve të Bashkuara dhe akuzoi Shtetet e Bashkuara për një reagim të ekzagjeruar.

Shtëpia e Bardhë ka minimizuar efektet drastik që mund të ketë incidenti në marrëdhëniet SHBA-Kinë. Vetë zoti Biden tha të hënën se kjo çështje nuk i ka dobësuar marrëdhëniet.

Megjithë tensionet midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, zyrtarët ushtarakë amerikanë kanë kërkuar prej kohësh të mbajnë linja të hapura komunikimi me homologët e tyre kinezë për të zbutur rrezikun e krizave të mundshme.

Por Kina ka refuzuar kërkesat e Sekretarit Austin për të biseduar në të kaluarën, përpara se të takoheshin përfundimisht për herë të parë në qershor 2022.

Marrëdhëniet mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara kanë qenë të tensionuara, me tensione midis dy ekonomive më të mëdha në botë për gjithçka, që nga Tajvani dhe gjendja e të drejtave të njeriut në Kinë e deri te aktiviteti i saj ushtarak në Detin e Kinës Jugore./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat