SHBA, të jesh në vend dhe kohë të gabuar është me rrezik për jetën

Amerika

SHBA, të jesh në vend dhe kohë të gabuar është me rrezik për jetën

Më: 28 prill 2023 Në ora: 20:15
Foto ilustrim

Të paraqitesh në derën e gabuar, të ngasësh makinën në rrugën e gabuar, të marrësh një top basketbolli që të ka rënë tek oborri i një fqinji të zemëruar… këto janë disa nga skenarët që çuan në sulmet me armë zjarri gjatë këtij muaji në Shtetet e Bashkuara. Aktivistët e kontrollit të armëve thonë se sulmet tregojnë se SHBA ka nevojë për ligje më të rrepta për blerjen e armëve të zjarrit.

Disa nga viktimat kanë qenë në vendin dhe në kohën e gabuar dhe për pasojë janë sulmuar me armë zjarri.

20-vjeçarja Kaylin Gillis u qëllua për vdekje nga 65-vjeçari Kevin Monahan kur ajo dhe miqtë e saj iu afruan me makinë shtëpisë së tij në Nju Jork.

“Vajza ime ishte një studente e shkëlqyer. Ajo kishte shpresa dhe ëndrra për t'u bërë biologe detare ose veterinere. Dhe ky njeri e vrau vajzën tonë”, thotë Andrew Gillis, babai i saj.

Zoti Monahan është akuzuar për vrasje.

“Nuk pati asnjë këmbim mes zotit Monahan dhe pasagjerëve të automjeteve. Ata e kuptuan se ishin në vendin e gabuar, u kthyen për t'u larguar, dhe atëherë u qëlluan”, thotë Jeffrey Murphy, sherif i qarkut ku ndodhi ngjarja në shtetin e Nju Jorkut.

Tetëdhjetë e katër vjeçari Andrew Lester është akuzuar për sulm të shkallës së parë pasi qëlloi 16-vjeçarin Ralph Yarl, i cili trokiti në derën e shtëpisë së tij në Kansas City, Missouri. Zoti Lester thotë se mendonte se adoleshenti po hynte në shtëpinë e tij. Avokati i viktimës Yarl thotë se 16 vjeçari shkoi gabimisht në rezidencën e sulmuesit.

“Trokitja në derë nuk justifikon përdorimin e forcës vdekjeprurëse. Ralph i ra ziles dhe priti në heshtje jashtë derisa dera u hap. U desh pak kohë, sepse padyshim që zoti Lester po merrte armën e tij, por Ralph nuk u përpoq të hynte në shtëpi”, sqaron avokati i familjes së viktimës, Ralph Yarl.

6-vjeçarja Kinsley White u bë objektiv sulmi me babain e saj ndërsa përpiqej të merrte topin e saj të basketbollit nga oborri i një fqinji. Sulmuesi i saj është arrestuar.

Dhuna me armë, përfshirë sulmet e paprovokuara, po përkeqësohet, thonë aktivistët e kontrollit të armëve dhe për këtë nevojiten ligje më të rrepta.

“Ka të dhëna që disa politika si ndërmarrja e disa veprimeve që në pikën e shitjes ose parandalimi i blerjes së armëve të zjarrit nga njerëz të caktuar, mund të zgjerojnë kontrollin e së kaluarës së personit që dëshiron të blejë armë ose periudhat e pritjes ose të përfshijnë kërkimin e licencës për të blerë armë zjarri”, thotë Mike Anestis, Drejtor Ekzekutiv i Qendrës Kërkimore të Dhunës me Armë në Nju Xhersi.

Aktivistët që janë pro armëve të zjarrit shprehin keqardhje për sulmet e fundit, por qëndrojnë të palëkundur ndaj të drejtës së tyre të mbrojtur me Amandamentin e dytë të Kushtetutës për të mbajtur armë zjarri.

“Është një amendament mjaft i mirë. Personalisht më lejon të kem armën më të mirë të zjarrit që dua të mbroj veten dhe familjen time”, thotë Lee Williams nga Fondacioni i Amendamentit të Dytë.

Mbrojtësit e armëve thonë se amerikanët duan të mbrohen dhe të mos mbështeten vetëm te policia.

Ndërkohë, sulmet nuk kanë të ndalur./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat