Kritiku i ish presidentit Trump Chris Christie, pritet të shpallë kandidturën për president javën e ardhshme

Amerika

Kritiku i ish presidentit Trump Chris Christie, pritet të shpallë kandidturën për president javën e ardhshme

Më: 31 maj 2023 Në ora: 21:48
Ish-guvernatori i Nju Xhersit, Chris Christie

Ish-guvernatori i Nju Xhersit, Chris Christie, pritet që javën e ardhshme të shpallë kandidaturën për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, tha një person që ka njohuri për këtë çështje. Zoti Christie punoi si këshilltarë në fushatën e zotit Donald Trump në vitin 2016 por gjatë muajve të fundit është kthyer në një kritik të zëshëm të ish-presidentit.

Republikani 60 vjecar Christie, nuk arriti të sigurojë emërimin e Partisë Republikane gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016 ku fitues doli zoti Donald Trump. Sipas një sondazhi të Reuters/Ipsosit të kryer mes 9 dhe 15 majit, vetëm 1% e republikanëve thanë se ai do të ishte kandidati i tyre i preferuar për zgjedhjet e vitit 2024.

Duke i dhënë fund javëve të spekulimeve rreth qëllimeve të tij, zoti Christie do të nisë zyrtarisht fushatën e tij në Kolegjin ‘Saint Anselm’ në Nju Hampshire të martën, tha një person që ka njohuri për këtë çështje.

Ish Guvernatori Christie i ka kërkuar partisë së tij që të heq dorë nga pretendimet e ish presidentit se zgjedhjet e vitit 2020 ishin manipuluar. Ky qëndrim teorikisht mund t'i sigurojë atij mbështetje nga republikanët e moderuar megjithëse do të inatos grupin ende të fuqishëm të votuesve të zotit Trump.

Në mars, zoti Christie i tha Axios se nuk do të votonte për zotin Trump në zgjedhjet e vitit 2024 edhe nëse ish-presidenti do të siguronte mbështetjen e partisë për t’u bërë kandidati i republikanëve. Ish presidenti Trump, i cili shpalli fushatën e tij vitin e kaluar, kryeson mes republikanëve në sondazhet publike.

Në paraqitjet publike, zoti Christie i cili ka punuar edhe si prokuror federal, ka argumentuar se vetëm ai ka aftësinë dhe vullnetin për t’u përballur drejtpërdrejt me zotin Trump.

“Siç e dimë të gjithë në Nju Xhersi, guvernatori është një udhëheqës i dëshmuar që pa frikë e thotë të vërtetën”, shkroi Bill Palatucci, këshilltar i zotit Christie, i cili do të kryesojë komitetin e veprimit politik që mbështet kandidaturën e tij. Mesazhi i tij iu drejtua anëtarëve të komitetit shtetëror republikan, të martën.

Zoti Christie njihet për sulmet e suksesshme ndaj kundërshtarëve të tij. Në vitin 2016 ai u tall me Senatorin republikan Marco Rubio duke e akuzuar se ka mësuar përmendësh deklaratat e tij gjatë një debati në fushatën presidenciale të vitit 2016. Ajo përballje merret gjerësisht si dëm i pariparueshëm që iu shkaktua fushatës së zotit Rubio.

Përveç zotit Trump, republikanë të tjerë që konkurrojnë për president përfshijnë guvernatorin e Floridës Ron DeSantis, senatorin amerikan Tim Scott dhe ish-guvernatoren e Karolinës së Jugut, Nikki Haley. Ish-zëvendëspresidenti Mike Pence dhe guvernatori i Nju Hampshire, Chris Sununu janë mes kandidatëve që gjithashtu mund t’i bashkohen garës.

Kandidati që siguron emërimin e republikanëve, do të përballet me presidentin demokrat Joe Biden, fushata e të cilit nuk përballet me asnjë opozitë të dukshme brenda partisë.

Një guvernator me dy mandate nga një shtet me prirje demokratike, zoti Chris Christie shihej dikur si një yll republikan në rritje, i cili kishte ndikim të rrallë ndërpartiak.

Por mandati i tij i dytë si guvernator u njollos nga skandali i dy këshilltarëve të tij, që u akuzuan për mbylljen e qëllimshme të urës Xhorxh Uashington, një urë me trafik të dëndur për të kaluar nga Nju Xhersi për në qytetin e Nju Jorkut. Mbyllja u bë për të ndëshkuar një kryebashkiak të një prej qyteteve të Nju Xhersit, i cili refuzoi të mbështeste fushatën e tij për rizgjedhje.

Marrëdhënia e ish guvernatorit Christie me ish presidentin Trump dhe familjen e tij është jo pak e komplikuar. Ndërsa punonte si prokuror në Nju Xhersi, ai ndoqi penalisht Charles Kushnerin, babain e dhëndrit të zotit Trump, Jared Kushner, për evazion fiskal dhe krime të tjera.

Ai dhe zoti Trump shkëmbyen shumë sulme gjatë fazave të hershme të fushatës së vitit 2016. Por vetëm disa javë pasi u largua nga gara, zoti Christie e mbështeti zotin Trump ndaj rivalëve të tjerë, duke i dhënë një shtysë kandidaturës së tij në një moment kritik.

Ai madje shërbeu si këshilltar i fushatës së zotit Trump, por erdhi një moment që po i bënte dëm kandidatit Trump, kur filloi gjyqi kundër ish këshilltarëve të tij për mbylljen e urës. Gjatë procesit u paraqitën dëshmitarë që thanë se zoti Christie ishte në dijeni të mbylljes së urës duke hedhur poshtë pretendimin e tij se nuk dinte gjë paraprakisht.

Që nga sulmi i 6 janarit 2021 në Kapitol nga një turmë mbështetësish të zotit Trump, ish guvernatori Christie e ka sulmuar ish presidentin në shumë raste. Ai e fajësoi ish-presidentin për rezultatin e dobët të republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit më 2022 dhe e quajti sjelljen e zotit Trump “të papranueshme” pasi një juri federale e shpalli ish presidentin përgjegjës për abuzim seksual të shkrimtares E. Jean Carroll.

Zoti Christie ishte kandidat republikan edhe për zgjedhjet presidenciale të vitit 2012, por u mund nga kandidati Mitt Romney./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat