Katër viktima nga rrëzimi i avionit privat që fluturoi mbi Uashington

Amerika

Katër viktima nga rrëzimi i avionit privat që fluturoi mbi Uashington

Më: 5 qershor 2023 Në ora: 21:04
Autoritetet duke siguruar shtegun që të çon në vendin e përplasjes së avionit Cessna pranë Montebellos, Virxhinia

 Hetuesit federalë u përpoqën të hënën në një terren të vështirë të gjenin mbetjet e një avioni privat për të zgjidhur misterin se përse avioni doli nga kursi dhe u përplas në një mal, duke vrarë katër personat në bord.

Një ditë pasi avioni fluturoi mbi kryeqytetin e vendit, duke e shtyrë ushtrinë të reagonte duke mobilizuar avionë luftarakë, Administrata Federale e Aviacionit tha në një përditësim të shkurtër se piloti dhe tre pasagjerët u vranë dhe se avioni u "shkatërrua" nga përplasja. Identiteti i tyre nuk u bë i ditur menjëherë.

Hetuesi i Bordit Kombëtar të Sigurisë së Transportit (NTSB), Adam Gerhardt u tha gazetarëve se do t'u duhet kohë për të arritur në vendndodhjen e largët të përplasjes, gati 5 kilometra në veri të Montebellos. Hetuesit pritet të qëndrojnë në vendngjarje për të paktën tre deri në katër ditë. Zëdhënësja e NTSB-së, Jennifer Gabris, tha se hetuesit u detyruan të shkonin në këmbë në vendngjarje për shkak të terrenit malor.

Vëmendja për rrëzimin dhe shkakun e tij u rrit nga trajektorja e pazakontë e fluturimit mbi Uashington, dhe nga zhurma e shkaktuar nga valët sonike të aeroplanëve ushtarakë që u dëgjua në të gjithë kryeqytetin dhe në pjesë të shteteve Merilend dhe Virxhinia. Komanda e Mbrojtjes së Hapësirës Ajrore të Amerikës së Veriut tha në një deklaratë se avioni ushtarak ishte autorizuar të udhëtonte me shpejtësi supersonike, gjë që shkaktoi dhe zhurmën e madhe.

Duke folur në një konferencë të hënën në mëngjes, zoti Gerhardt tha se mbetjet janë "shumë të fragmentuara" dhe hetuesit do të shqyrtojnë provat më delikate në vendngjarje. Në vazhdim pjesët do të zhvendosen, ndoshta me helikopter, për në Dellauer, ku mund të ekzaminohen më tej, tha ai. Avioni nuk e ka të detyrueshme të ketë një regjistrues fluturimi, por është e mundur që të ketë pajisje të tjera fluturimi që do të kenë të dhëna që mund të ekzaminohen, tha zoti Gerhardt.

Hetuesit do të shqyrtojnë se pse piloti nuk përgjigjej dhe përse avioni fluturoi në trajektoren në fjalë, tha ai. Ata do të marrin në konsideratë disa faktorë që ekzaminohen rregullisht në hetime të tilla, përfshirë aeroplanin, motorët e tij, kushtet e motit, kualifikimet e pilotëve dhe të dhënat e mirëmbajtjes, tha ai.

"Gjithçka është në tryezë derisa të heqim ngadalë dhe metodikisht komponentë dhe elementë të ndryshëm që do të jenë të rëndësishëm për këtë hetim të parametrave të sigurisë", tha zoti Gerhardt.

Një raport paraprak do të dalë brenda 10 ditëve dhe një raport përfundimtar do të dalë brenda dy vitesh, tha ai.

Policia tha të dielën në mbrëmje se ekipet e shpëtimit kishin arritur në vendin e përplasjes në një pjesë rurale të Luginës Shenandoah dhe se nuk u gjet asnjë i mbijetuar. Policia e shtetit të Virxhinias tha se oficerët u njoftuan për përplasjen e mundshme pak para orës 16:00, dhe ekipet e shpëtimit arritën me këmbë në vendin e rrëzimit rreth katër orë më vonë.

Administrata Federale e Aviacionit (FAA) tha se avioni privat i tipit Cessna Citation u nis të dielën nga Elizabethton, Tenesi, dhe fluturoi për në aeroportin MacArthur të Long Island. Në mënyrë të pashpjegueshme, avioni u kthye mbi Long Island të Nju Jorkut dhe fluturoi në një trajektore të drejtë mbi Uashingtonin përpara se të rrëzohej rreth orës 15:30.

Avioni fluturoi drejtpërdrejt mbi kryeqytetin e vendit, një nga hapësirat ajrore më të kufizuara në vend.

Sipas Pentagonit, gjashtë avionë luftarakë F-16 u dislokuan menjëherë për të arritur avionin privat. Dy avionë nga krahu i 113-të luftarak, pranë bazës Andrews në Merilend, ishin të parët që arritën pranë avionit Cessna për të filluar përpjekjet për të kontaktuar pilotin. Dy avionë F-16 nga Nju Xhersi dhe dy nga Karolina e Jugut iu bashkuan gjithashtu operacionit.

Sipas organizatave që gjurmojnë trajektoret e avionëve, avioni duket se bëri një rënie të shpejtë spirale, duke zbritur me shpejtësi prej mbi 9 mijë metrash në minutë përpara se të përplasej në tokë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat