SHBA, Gjykata e Lartë bllokon planin e Presidentit Biden për falje të kredive studentore

Amerika

SHBA, Gjykata e Lartë bllokon planin e Presidentit Biden për falje të kredive studentore

Më: 30 qershor 2023 Në ora: 19:06
Foto ilustrim

Gjykata e Lartë amerikane bllokoi të premten planin e Presidentit Joe Biden, për të anuluar borxhet prej 430 miliardë dollarësh në kredi studentore, nga i cili do të përfitonin 43 milionë amerikanë.

Në një vendim 6 me 3, gjykatësit vendosën kundër planit të Presidentit Biden e në favor të gjashtë shteteve me prirje konservatore, që e kishin kundërshtuar atë. Veprimi i gjykatës i dha një goditje 26 milionë amerikanëve, që kanë marrë kredi studentore, e që kishin aplikuar për lehtësim nga barra financiare, pasi Presidenti Biden njoftoi programin në gusht të vitit 2022, deri në nëntorin e vitit kaluar, kur disa gjykata më të ulëta, e bllokuan atë. Vendimi po ashtu shihet si një pengesë politike për presidentin demokrat.

Gjatë shtete, Arkansa, Ajova, Kansas, Mizuri, Nebraska dhe Karolina e Jugut, kishin ngritur padi kundër planit të Presidentit Biden. Padi kishin ngritur edhe dy persona, që kishin marrë kredi studentore e nuk kualifikoheshin për lehtësim, sipas kritereve të planit.

Plani i zotit Biden ishte një përmbushje e premtimit të tij të bërë gjatë fushatës për zgjedhjet e vitit 2020, për të anuluar një pjesë të borxhit prej 1.6 trilionë dollarësh, që studentë dhe ish studentë, i detyrohen qeverisë federale. Por republikanët e quajtën atë një tejkalim kompetencash nga ana e presidentit, e që do të siguronte përfitim të padrejtë për një pjesë dhe jo për të gjithë ata që kanë marrë kredi studentore. Vendimi i gjykatës vjen në një kohë kur Presidenti Biden ka nisur fushatën për t’u rizgjedhur në vitin 2024.

Sipas planit të presidentit, qeveria do të falte deri në 10,000 dollarë borxh studentor për amerikanët me të ardhura nën 125,000 dollarë në vit, si dhe 20,000 dollarë, për përfituesit e granteve ‘Pell’, që u jepen studentëve nga familje me të ardhura të ulëta.

Vendimi erdhi një ditë pasi Gjykata e Lartë bllokoi përdorimin e racës si faktor për pranimin në universitet amerikane, një politikë që ka synuar rritjen e numrit të studentëve me ngjyrë, atyre hispanikë, apo të racave të tjera pakicë, që janë të nënpërfaqësuara. Presidenti Biden tha të enjten se gjykata, me shumicën e saj konservatore, ishte një institucion i painformuar mbi vlerat themelore të vendit.

Gjatë paraqitjes së argumenteve mbi çështjen e kredive studentore, në muajin shkurt, administrata Biden tha se plani bazohej në një ligj federal të vitit 2003, të quajtur Akti i Mundësive për Ndihmë për Studentët e Arsimit të Lartë, i cili i jep të drejtë sekretarit të arsimit të "heqë, ose modifikojë" ndihmën financiare për studentët në kohë lufte, apo emergjencash kombëtare.

Si Presidenti Biden ashtu edhe paraardhësi i tij republikan Donald Trump, u mbështetën tek ky akt, në vitin 2020, për të pezulluar përkohësisht pagesat për kreditë studentore, apo grumbullimin e interesit gjatë asaj periudhe, si masa për të lehtësuar problemet financiare me të cilat po përballeshin studentët gjatë pandemisë së COVID-19.

Sipas një sondazhi të kryer në muajin mars nga agjencia ‘Reuters’ dhe qendra ‘Ipsos’, rreth 53% e amerikanëve e mbështesin planin e Presidentit Biden për lehtësim të barrës financiare studentore, ndërsa 45% janë kundër tij. Të anketuarit ndahen fort sipas përkatësisë partiake, me demokratët që e mbështesin atë gjerësisht dhe republikanët që përgjithësisht e kundërshtojnë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat