Padi kundër sistemit të pranimeve në Harvard

Amerika

Padi kundër sistemit të pranimeve në Harvard

Më: 3 korrik 2023 Në ora: 21:35
Foto ilustrim

Një grup që mbron të drejtat civile ka paditur praktikën që zbaton Universiteti i Harvardit, në pranimin e studentëve të rinj, e cila duket se favorizon pranimin e atyre aplikantëve me lidhje familjare me ish-të diplomuar të këtij universiteti. Sipas paditësve, praktika diskriminon studentët me ngjyrë, duke u dhënë një avantazh të padrejtë, fëmijëve kryesisht të bardhë, të të diplomuarve të mëparshëm.

Padia pason vendimin e Gjykatës së Lartë javën e kaluar, që i dha fund përdorimit të racës si faktor për pranimin në universitete. Praktika, që ishte përdorur prej dekadash, synonte të nxiste pranimin e personave, nga shtresa të nënpërfaqësuara, në sistemin e lartë arsimor të Shteteve të Bashkuara.

Padia u ngrit nga organizata “Avokatët për të drejtat civile” në emër të organizatës jofitimprurëse ‘Chica Project’, që trajton çështje të zhvillimit ekonomik të komunitetit afrikan në rajonin verilindor të Shteteve të Bashkuara, si dhe një organizatë që mbron të drejtat e komunitetit latin në të njëjtin rajon, ‘Greater Boston Latino Network’.

Organizatat pretendojnë se ky element i sistemit të pranimeve në Harvard, shkel Aktin e të Drejtave Civile.

“Pse po i shpërblejmë fëmijët për privilegjet dhe avantazhet e grumbulluara nga brezat e mëparshëm?”, pyet Ivan Espinoza-Madrigal, drejtor ekzekutiv i organizatës “Avokatët për të drejtat civile”. "Mbiemri i familjes dhe llogaria bankare, nuk janë kritere merite dhe nuk duhet të kenë asnjë ndikim në procesin e pranimit në kolegj", shton ai më tej.

Organizatorët e një fushatë të veçantë, po u kërkojnë të diplomuarve të 30 kolegjeve prestigjioze, të ndalin donacionet, që favorizojnë pranimin e atyre aplikantëve me lidhje familjare me të diplomuarit. Kjo nismë, e udhëhequr nga ‘Ed Mobilizer’, ka në qendër gjithashtu universitetin e Harvardit dhe 8 universitetet e tjera më prestigjoze në rajonin veri-lindor të Shteteve të Bashkuara, të njohura si grupimi ‘Ivy League’.

Javën e kaluar Presidenti Joe Biden tha se universitetet duhet ta rimendojnë praktikën, duke thënë se pranimi në kolegje bazuar tek lidhjet familjare me ish të diplomuar të tyre, "zgjeron privilegjin, duke mos i lënë vend mundësive".

Nën dritën e vendimit të gjykatës, disa ligjvënës demokratë në Kongres kërkuan gjithashtu që universitetet t'i jepin fund kësaj politike pranimi, përfshirë disa republikanë, mes tyre senatori Tim Scott, që po konkurron për garën presidenciale.

Padia e re bazohet tek të dhënat e Harvardit, që dolën në dritë ndërsa Gjykata e Lartë, po trajtonte çështjen e racës si kriter në pranimin në universitete. Sipas të dhënave, 70% e aplikantëve të lidhur me donatorët dhe ish të diplomuar të Harvard-it, ishin të bardhë. Dhe gjasat e pranimit të një aplikanti me lidhje familjare me një ish-student të këtij universiteti, ishin gjashtë herë më të mëdha, krahasuar me të tjerët.

Kolegje të tjera kanë hequr dorë nga kjo praktikë mes pikëpyetjesh se sa e drejtë është një politikë e tillë, mes tyre Kolegji ‘Amherst’ dhe Universiteti ‘Johns Hopkins’.

Në padi pretendohet se favorizimi i aplikantëve me lidhje familjare me të diplomuarit në ‘Harvard’, nuk ka të bëjë fare me meritën dhe u heq mundësitë studentëve të kualifikuar me ngjyrë. Paditësit kërkojnë nga Departamenti i Arsimit që ta shpallë këtë praktikë të paligjshme dhe ta detyrojë ‘Harvard-in’ të mos e zbatojë atë, për sa kohë që universiteti merr fonde federale. Përfaqësuesit e universitetit nuk i janë përgjigjur ende një kërkese për koment lidhur me padinë.

Megjithatë mbetet e paqartë se cilat universitete zbatojnë praktikën e favorizimit të aplikantëve me lidhje familjare me ish të diplomuarit dhe sa shumë i ndihmon ata një gjë e tillë.

Në Kaliforni, ku ligji shtetëror kërkon që shkollat ta bëjnë publike se zbatojnë një praktikë të tillë, Universiteti i Kalifornisë Jugore njoftoi se 14% e studentëve të vitit të kaluar, kishin lidhje familjare me ish-studentë ose donatorë. Universiteti ‘Stanford” njoftoi një normë të ngjashme.

Bazuar në një sondazh të ‘Associated Press’, me kolegjet më të kërkuara të vendit vitin e kaluar, studentët e vitit të parë me lidhje familjare me ish të diplomuar, varionin nga 4% në 23%. Në katër univesitete, si ‘Notre Dame’, ‘USC’(Universiteti i Kalifornisë Jugore), ‘Cornell’ dhe ‘Dartmouth’, studentët me lidhje familjare me ish të diplomuarit, ishin më të shumtë se studentët me ngjyrë.

Mbështetësit e kësaj praktike thonë se ajo ndërton një komunitet ish-studentësh dhe inkurajon donacionet. Një studim i vitit 2022, që përfshiu një kolegj në verilindje të vendit, emri i të cilit nuk është publik, gjeti se studentët me lidhje familjare me ish të diplomuar nga kjo shkollë, kishin më shumë gjasa të bënin donacione dhe shumica dërrmuese ishin të bardhë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat