Intensifikohet gara mes kandidatëve republikanë për president

Amerika

Intensifikohet gara mes kandidatëve republikanë për president

Më: 30 korrik 2023 Në ora: 16:46
Gjatë aktivitetit republikan në Ajova

Gara mes kandidatëve brenda Partisë Republikane për të fituar emërimin për të kandiduar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, ka filluar të intensifikohet. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kane Farabaugh, gjatë një aktiviteti të Partisë Republikane të mbajtur këtë javë në Ajova, u mblodhën pothuajse të gjithë kandidatët republikanë, të cilët paraqitën platformat e tyre për të tërhequr votuesit përpara garës paraprake të 15 janarit.

Votuesi nga Ajova, Doug Anthony, e di se do të mbështesë një kandidat republikan në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

Por gjashtë muaj përpara mbajtjes së zgjedhjeve paraprake të Partisë Republikane, të cilat fillojnë nga Ajova, zoti Anthony thotë se ende nuk ka vendosur se cilin prej tyre të mbështesë.

“Po më pëlqen Ron DeSantis”, thotë zoti Anthony.

“Nuk ka justifikime këtë radhë. Duhet t’ia dalim mbanë. Unë do t’ia dal mbanë. Zoti ju bekoftë të gjithëve”, tha zoti DeSantis.

Guvernatori i Floridas radhitet i dyti pas ish-Presidentit Trump në anketimet e votuesve në Ajova. Ish-presidenti vazhdon të kryesojë megjithëse votuesit si zoti Anthony kërkojnë një kandidat më të përshtatshëm.

“Objektivi është të mundim Joe Biden-in... Nuk mendoj se Donald Trump-i mund ta mposhtë Joe Biden-in. Mendoj se ai mbart shumë probleme me vete”, tha zoti Anthony.

Ai është ndër votuesit mbështetjen e të cilëve kërkojnë të fitojnë kandidatët si DeSantis dhe ish-guvernatori i Arkansasit, Asa Hutchinson, për të fituar ndaj Donald Trump-it, i cili kryeson në anketime.

“Do të votoni në Ajova, ndërsa çështje të shumta penale vazhdojnë ndaj Presidentit Trump. Ajova ka shansin që të thotë se, ne si parti, kemi nevojë për një drejtim të ri për Amerikën dhe për Partinë Republikane”, tha zoti Hutchinson.

Komentet e tij u bënë gjatë darkës së republikanëve në Ajova, ku mbi 800 votues u mblodhën në një sallë të madhe festimesh në Des Moines për të ndjekur 13 kandidatë për president, ndër ta edhe zoti Trump, që për 10 minutat e caktuara për secilin u munduan të fitonin mbështetjen e votuesve për zgjedhjet e 2024-ës. Disa prej kandidatëve, si ish-ligjvënësi nga Teksasi, Will Hurd, kritikuan zotin Trump.

“Donald Trump-i po kandidon që t’i shpëtojë burgut”, tha zoti Hurd.

Në një moment të caktuar, kur ish-presidenti foli pa letër, ai anashkaloi problemet ligjore.

“Nëse nuk do të kandidoja, nuk do më qepeshin”, tha ish-Presidenti Trump.

“Mendoj se çdo gjë është e sajuar”, thotë mbështetësja e tij Sandy Cranston.

Ajo mendon se akuzat penale ndaj ish-presidentit janë të motivuara politikisht, por se ka edhe aspekte që ndihmojnë kandidatët e tjerë.

Zonja Cranston thotë ish-Presidenti Trump mund ta humbasë mbështetjen e saj në zgjedhjet paraprake...

“Nëse nuk do të mbështesë përpjekjet kundër abortit, nëse nuk do të mbështesë politikën Amerika e Para”, tha ajo.

“Kjo garë duket sikur ka ngrirë”, thotë Tim Hagle.

Ai është profesor i shkencave politike në Universitetin e Ajovas. Zoti Hagle thotë se mund të ketë një ndryshim në anketime dhe për rrjedhojë në garën për të fituar emërimin e kandidatit për president të Partisë Republikane, nëse më shumë votues distancohen për shkak të shtimit të problemeve ligjore të zotit Trump.

“Ndoshta në një moment do të çahet diga dhe ndoshta njerëzit do të thonë ‘kjo është e tepruar’,” thotë ai.

Koha po kalon dhe kandidatët duhet të qartësojnë mesazhin e tyre, të fitojnë energjinë e duhur dhe të mbyllin hendekun me kryesuesin Trump përpara se të bëhen votimet në janar. Ish-Presidenti Trump humbi në zgjedhjet paraprake në Ajova në vitin 2016, por fitoi më pas emërimin si kandidat i Partisë Republikane dhe vetë zgjedhjet presidenciale. Në vitin 2020, ai fitoi zgjedhjet paraprake në Ajova, por humbi në zgjedhjet presidenciale përballë Joe Biden-it.

“Nëse fiton këtë radhë në Ajova, kjo ndoshta do të thotë se do të fitojë edhe emërimin e Partisë Republikane”, thotë profesor Hagle./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat