Dhoma e Përfaqësuesve miraton buxhetin për të shmangur mbylljen e qeverisë

Amerika

Dhoma e Përfaqësuesve miraton buxhetin për të shmangur mbylljen e qeverisë

Më: 23 mars 2024 Në ora: 06:10
Mike Johnson

Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga republikanët miratoi të premten një projekt-ligj prej 1.2 trilion dollarësh për të financuar qeverinë deri në shtator, duke i lënë Senatit me shumicë demokratike orë të tëra për të vepruar përpara skadimit të afatit në mesnatë.

Votimi 286-134 sinjalizon fundin e një beteje më shumë se gjashtë mujore mbi buxhetin në Uashington për vitin fiskal që filloi më 1 tetor.

Por lëvizja e Kryetarit republikan të Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, i cili anashkaloi anëtarët e vijës së ashpër të grupit të tij parlamentar, duke e miratuar projektligjin me më shumë mbështetje të ligjvënësve demokratë sesa atyre republikanë, zemëroi ligjvënësen Marjorie Taylor Greene, e cila bëri thirrje për rrëzimin e tij nga posti i Kryetarit.

Kjo mund të shkaktojë një përsëritje të skenave të fillimit të tetorit, kur një grup i vogël republikanësh të linjës së ashpër të zemëruar që paraardhësi i zotit Johnson, Kevin McCarthy, kishte miratuar një buxhet të përkohshëm pavarësisht nga kundërshtimet e tyre, e rrëzuan atë nga posti i Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve.

Mbyllja e fundit e pjesshme e qeverisë federale ndodhi gjatë mandatit të Presidentit Donald Trump, nga 22 dhjetori 2018 deri më 25 janar 2019. Mbyllja e qeverisë u shkaktua nga kërkesat e Presidentit republikan për më shumë fonde për ndërtimin e një muri përgjatë kufirit SHBA-Meksikë, që kundërshtohej nga demokratët.

Projektligji aktual prej 1012 faqesh siguron 886 miliardë dollarë fonde për Departamentin e Mbrojtjes, duke përfshirë një rritje pagash për trupat amerikane. Projektligji përfshin fonde edhe për agjenci të tjera amerikane, si Departamenti i Sigurisë Kombëtare, Agjencia e Tatimeve, Departamenti i Drejtësisë, Departamenti i Thesarit dhe Departamenti i Shtetit.

Projektligji do t'i shtonte borxhit kombëtar me rritje të shpejtë që tashmë ka arritur në shifrën 34.6 trilion dollarë.

Një çështje e veçantë e debatueshme për të cilën ka mosmarrëveshje në Kongres është miratimi nga Dhoma e Përfaqësuesve i një ndihme prej 95 miliardë dollarësh, tashmë të miratuar nga Senati, që përfshin fonde për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin.

Disa republikanë po vazhdojnë të kundërshtojnë përpjekjet për mbështetjen e Ukrainës në luftën e saj kundër ushtrisë pushtuese ruse.

Ndërsa konservatorët ia dolën mbanë që Kongresi dhe presidenti demokrat Joe Biden të binin dakord për disa shkurtime të shpenzimeve fiskale për vitin 2024, ata shpresonin për shkurtime shumë më të thella. Pakënaqësia e tyre çoi në shkarkimin historik në tetor të Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy. Luftimet e mëvonshme politike mes republikanëve bllokuan Dhomën e Përfaqësuesve për tre javë ndërsa republikanët po përpiqeshin të zëvendësonin zotin McCarthy.

Që atëherë, me afrimin e zgjedhjeve të nëntorit, shumica e republikanëve nuk duan të shkaktojnë një mbyllje të qeverisë për shkak të shpenzimeve, megjithëse Uashingtoni u soll në prag mbylljes së pjesshme të qeverisë katër herë që nga fundi i shtatorit.

Agjencitë e vlerësimit të kredive kanë paralajmëruar se betejat e përsëritura deri në minutën e fundit për buxhetin mund të ndikojnë në aftësinë kreditore të qeverisë amerikane për të paguar borxhet.

Nëse Senati nuk do ta miratonte me kohë buxhetin, mbyllje e pjesshme e qeverisë që do të fillonte të shtunën nuk do të ndikonte punën e shumicës së agjentëve të patrullës kufitare dhe emigracionit. Por qeveritë lokale mund të mos marrin ndihmë të re për të strehuar emigrantët.

Ushtarët amerikanë dhe të gjithë punonjësit federalë, duke përfshirë dy astronautë amerikanë në bordin e Stacionit Hapësinor Ndërkombëtar 409 kilometra mbi Tokë, nuk do të paguheshin derisa të miratohej buxheti i ri dhe parqet kombëtare do të mbylleshin.

Shumë operacione dhe shërbime të tjera do të mbylleshin./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat