Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të dielën se është duke udhëzuar agjencitë përkatëse për të rindërtuar dhe rihapur burgun e Alkatraz në Gjirin e San Franciskos "për të strehuar kriminelët më të egër dhe më të dhunshëm të Amerikës", sipas agjencisë të lajmeve Anadolu.
"RINDËRTONI, DHE RIHAPNI ALKATRAZ!" shkroi Trump në platformën Truth Social, duke shtuar se ka udhëzuar Byrosën Federale të Burgjeve së bashku me Departamentin e Drejtësisë, Departamentin e Sigurisë Kombëtare dhe FBI-në për "të rihapur një version të burgut që është ndjeshëm më i madh dhe i rindërtuar".
"Kur ishim një Komb më serioz, në kohët e kaluara, ne nuk hezituam të mbyllnim kriminelët më të rrezikshëm dhe t’i mbajmë ata larg nga kushdo që mund të dëmtonin", tha ai, shkruan AA.
"Ne nuk do të mbetemi më të kapur nga kriminelët, banditët dhe gjyqtarët që kanë frikë të bëjnë punën e tyre dhe të na lejojnë të heqim kriminelët që kanë hyrë në Vendin tonë ilegalisht".
"Rihapja e ALKATRAZ do të shërbejë si një simbol i Ligjit, Rendit dhe DREJTËSISË", shtoi ai.
Burgu i njohur, i cili është një nga destinacionet më të njohura turistike të San Franciskos, u mbyll në vitin 1963 pas 29 vjetësh funksionimi.
Sipas faqes së internetit të Byrosë Federale të Burgjeve, burgu u mbyll sepse ishte tre herë më shtrenjtë të operohej krahasuar me burgjet e tjera.