Përplasja mes njeriut më të pasur dhe më të fuqishëm në botë ka hyrë në një fazë të re. Presidenti amerikan Donald Trump nuk dëshiron më as të flasë me miliarderin e teknologjisë Elon Musk – dhe po mendon ta shesë veturën e tij Tesla!
Sipas burimeve të Shtëpisë së Bardhë, Trump ka refuzuar çdo mundësi pajtimi me shefin e Teslës, ndonëse më herët ishte spekuluar për një afrim të mundshëm mes tyre. Në deklaratat e tij të zakonshme të ashpra, Trump e quajti Musk-in “një njeri që ka humbur mendjen”.
Trump do të heqë dorë nga Tesla
Zemërimi i presidentit amerikan ka arritur pikën kur ai po mendon ta shesë veturën e tij luksoze Tesla – një model i kuq që e kishte blerë për rreth 80 mijë dollarë. Ajo ndodhet aktualisht në oborrin e rezidencës së tij zyrtare në Washington, por, sipas burimeve, Trump po e shqyrton seriozisht shitjen e saj.
Kjo veturë ishte blerë në muajin mars gjatë një paraqitjeje publike, si pjesë e një fushate në të cilën Trump lavdëroi Teslën si “kompani të mrekullueshme” dhe Musk-un si “patriot”. Kjo ndodhi pasi Musk, me kërkesë të Trump-it, ndërmori shkurtime të thella në administratën shtetërore, çka u interpretua si një aleancë strategjike mes të dyve.
Ndërprerja e përfitimeve për makinat elektrike
Por raportet u ftohën ndjeshëm të enjten, kur Musk kritikoi publikisht projektligjin e ri fiskal të Trump. Ky ligj parashikon, ndër të tjera, heqjen e lehtësimeve tatimore për veturat elektrike. Musk reagoi ashpër, duke e cilësuar projektligjin si një “të neveritshëm” që “po e çon Amerikën drejt falimentimit”.
Trump, nga ana e tij, pretendon se Musk ka reaguar vetëm pasi ka kuptuar ndikimin negativ që ligji do të kishte për Teslën. Por Musk e mohoi këtë, duke thënë se ishte një qëndrim parimor dhe jo personal.
Ekspertët e buxhetit paralajmërojnë se nëse miratohet nga Senati, ligji do ta rrisë borxhin kombëtar amerikan – që tashmë ka kaluar 36 trilionë dollarë – në nivele të papara më parë. Megjithatë, Trump mbetet i palëkundur dhe vazhdon ta promovojë projektligjin si “Ligji i Madh dhe i Bukur” (“Big Beautiful Bill”).
Një “bombë” Trump–Musk pritet të shpërthejë së shpejti.