Disa të vdekur dhe të zhdukur nga përmbytjet në Teksas

Amerika

Disa të vdekur dhe të zhdukur nga përmbytjet në Teksas

Më: 5 korrik 2025 Në ora: 06:23
Foto ilustrim

Përmbytjet kanë vrarë disa persona në Teksas, në jug të Shteteve të Bashkuara, njoftuan autoritetet lokale, duke raportuar gjithashtu për persona të zhdukur, përfshirë fëmijë.

Bilanci i viktimave nga rritja e papritur e niveleve të ujit mbetet i paqartë, shpjegoi në një konferencë për shtyp Rob Kelly, kreu i autoriteteve lokale në Qarkun Kerr, që ndodhet në Teksasin qendror.

“Po përpiqemi të identifikojmë njerëzit” që vdiqën, tha ai, duke iu referuar përmbytjeve “shumë shkatërruese dhe vdekjeprurëse” që përfshiu rajonin për shkak të reshjeve të dendura të shiut.

Sa i përket fëmijëve që po ndiqnin një kamp veror në qark, “e dimë që ka disa që raportohen të zhdukur. Por sa… nuk jemi të sigurt për numrin”, shtoi ai.

Rob Kelly theksoi se përmbytjet erdhën papritur në një zonë që është mësuar me këtë lloj fenomeni.

“Kemi përmbytje gjatë gjithë kohës. Kjo është lugina më e rrezikshme e lumit në Shtetet e Bashkuara”, tha ai, duke iu referuar lumit Guadalupe që kalon nëpër zonë, por “nuk kishim arsye të besonim se diçka e tillë do të ndodhte”.

Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike (NOAA) tha se niveli i lumit Guadalupe u rrit gjatë natës nga 2 metra në më shumë se 9 metra pas shirave.

Shërbimi meteorologjik lëshoi ​​një paralajmërim për përmbytje për Qarkun Kerr jug-qendror, duke i nxitur banorët të shmangin të gjitha udhëtimet dhe ata që jetojnë pranë lumit Guadalupe të zhvendosen “në vende më të larta”.

Në mesin e qershorit, të paktën dhjetë persona vdiqën për shkak të përmbytjeve në San Antonio, Teksas Jugor, pas shirave të rrëmbyeshëm.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat