​Trump ngre padi miliardëshe kundër New York Times

Amerika

​Trump ngre padi miliardëshe kundër New York Times

Më: 16 shtator 2025 Në ora: 16:56
Donald Trump

Presidenti amerikan Donald Trump ka ngritur një padi për shpifje me vlerë 15 miliardë dollarë kundër gazetës New York Times dhe katër gazetarëve të saj, raporton The Guardian.

Padia, e depozituar të hënën në një gjykatë federale në Florida, përmend disa artikuj dhe një libër të shkruar nga dy prej gazetarëve të botimit dhe të publikuar në prag të zgjedhjeve të vitit 2024, duke pretenduar se ato janë “pjesë e një modeli shpifjeje të qëllimshme dhe dashakeqe prej dekadash nga New York Times kundër Presidentit Trump”.

“Paditësit kanë botuar këto deklarata në mënyrë të pakujdesshme, me njohuri për pavërtetësinë e tyre dhe/ose me shpërfillje të pamatur ndaj të vërtetës apo pavërtetësisë së tyre”, thuhet në padi.

New York Times nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese me email për koment në orët e para të së martës.

“New York Times është lejuar të gënjejë, shpifë dhe më njollosë lirisht për një kohë shumë të gjatë, dhe kjo ndalet, TANI!” shkroi Trump në platformën e tij Truth Social të hënën vonë. Ai e quajti gazetën një “zëdhënëse virtuale të Partisë Radikale të Majtë Demokrate”, duke veçuar mbështetjen e New York Times për Kamala Harris në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, dhe e akuzoi atë për gënjeshtra mbi “familjen time, biznesin tim, lëvizjen America First, MAGA, dhe kombin tonë në tërësi”.

Ai nuk ofroi asnjë provë për pretendimet e tij.

Javën e kaluar, media raportoi se Trump kishte kërcënuar me veprime ligjore kundër saj në lidhje me artikujt mbi një shënim ditëlindjeje me përmbajtje të pahijshme dhënë abuzuesit seksual Jeffrey Epstein. Presidenti republikan ka mohuar se e ka shkruar vetë atë shënim.

Trump më parë ka ndërmarrë hapa të ngjashëm edhe kundër mediave të tjera. Në korrik, ai ngriti një padi për shpifje prej 10 miliardë dollarësh kundër Wall Street Journal dhe magnatit të medias Rupert Murdoch, pasi gazeta botoi një artikull mbi lidhjet e tij me Epstein.

Në një postim në rrjete sociale të hënën vonë, presidenti amerikan akuzoi New York Times për një “metodë shumëvjeçare gënjeshtrash ndaj Presidentit tuaj të Preferuar (UNË!), familjes sime, biznesit tim, lëvizjes America First, MAGA, dhe kombit tonë në tërësi.”

Presidenti veçoi gjithashtu mbështetjen e gazetës për Kamala Harris në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 dhe tha se ajo ishte kthyer në një “zëdhënëse virtuale të Partisë Radikale të Majtë Demokrate.”

Trump përmendi shembuj të mëparshëm të padive të ngritura kundër ABC News dhe gazetarit George Stephanopoulos, si dhe kundër Paramount për intervistën e saj në 60 Minutes me Harris. Të dy rastet u zgjidhën me marrëveshje prej 15 milionë dhe 16 milionë dollarësh respektivisht.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat