Në ditët e fundit të mandatit të tij, kryetari aktual i Bashkisë së Nju Jorkut, Eric Adams, i dha një përgjigje të ashpër kandidatit që pritet ta zëvendësojë, Zohran Mamdani.
I pyetur për premtimin e Mamdanit se, nëse Netanyahu viziton qytetin e New Yorkut, do të urdhërojë arrestimin e tij sipas mandatit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Adams u përgjigj prerë: “Nuk ka asnjë oficer policie në Nju Jork që do të zbatojë atë urdhër. As një të vetëm.”
Kjo deklaratë nuk është thjesht teknike. Është një akt i qartë politik në mbrojtje të aleancës tradicionale SHBA–Izrael dhe një mesazh drejtuar komunitetit hebre, votuesve më të mëdhenj dhe donatorëve më bujarë të Partisë Demokrate në qytet, komenton sot shtypi njujorkez.
Adams, i cili pak javë më parë vizitoi vetë Izraelin dhe u takua me Netanyahun, po e mbyll mandatin duke u pozicionuar si “mburojë” e fundit kundër valës progresive që po merr pjesën më të madhe të partisë.
Në të njëjtën kohë, deklarata zbulon kufirin real të pushtetit lokal: një kryetar bashkie nuk mund të bëjë politikë të jashtme. Arrestimi i një kreu shteti në detyrë të një vendi aleat është çështje federale, madje ndoshta presidenciale.
Mamdani e di këtë, por premtimi i tij ka karakter simbolik dhe i mbetet fushatës së tij elektorale. Sipas komentuesve, ai është një sinjal për të rinjtë progresivë në New York City, për komunitetin arab dhe mysliman dhe për ata që e shohin luftën në Gaza si krim lufte.
Disa analistë të njohur në qytet e shohin situatën ndryshe: Nju Jorku, thonë ata, po ndahet gjithnjë e më qartë nga njëra anë tradita liberale pro-izraelite dhe nga ana tjetër një brez i ri që nuk e pranon më imunitetin e plotë të aleatëve.
Adams, sipas tyre, po i lë pasardhësit një vijë të kuqe të fortë dhe një qytet akoma më të polarizuar.