Avion i Marinës Meksikane rrëzohet në Teksas, pesë viktima

Amerika

Avion i Marinës Meksikane rrëzohet në Teksas, pesë viktima

Më: 23 dhjetor 2025 Në ora: 09:52
Foto nga vendngjarja

Marina Meksikane konfirmoi të hënën, 22 dhjetor se një nga avionët e saj u rrëzua pranë qytetit Galveston, në shtetin amerikan të Teksasit, pasi një mision mjekësor dështoi.

Si pasojë e aksidentit kanë humbur jetën pesë persona, ndërsa dy të tjerë kanë shpëtuar pa lëndime. Një person tjetër rezulton ende i zhdukur.

Sipas Marinës, avioni i tipit King Air ANX-1209 po transportonte gjithsej tetë persona mes tyre edhe një i mitur, kur u rrëzua gjatë kryerjes së misionit mjekësor. Në bord ndodheshin katër oficerë të Marinës Meksikane dhe katër civilë, në kuadër të një bashkëpunimi me fondacionin “Michou y Mau”, një organizatë jofitimprurëse që ndihmon fëmijët me djegie të rënda.

Operacionet e kërkim-shpëtimit u kryen nga Roja Bregdetare e Shteteve të Bashkuara, e cila e gjeti avionin të rrëzuar në det.

Në një deklaratë të publikuar në rrjetin social X, Ministria e Punëve të Jashtme e Meksikës shprehu ngushëllimet për humbjen e jetëve dhe bëri të ditur se ka kontaktuar autoritetet lokale përmes Konsullatës së Përgjithshme të Meksikës në Hjuston, me qëllim ofrimin e mbështetjes për familjet e viktimave.

Sipas raportimeve lokale, avioni po përgatitej për t’u ulur në momentin e aksidentit. Ngjarja ndodhi në kushte të vështira atmosferike, teksa zona ishte përfshirë nga mjegull e dendur.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat