Një djalë rreth 20-vjeç, i armatosur me pushkë dhe duke mbajtur një kanister karburanti, tentoi të hynte në mënyrë të paautorizuar në perimetrin e sigurisë së pronës së Mar-a-Lago, rezidencë e presidentit aktual Donald Trump, dhe u qëllua për vdekje nga agjentët e Shërbimit Sekret amerikan gjatë natës së 22 shkurtit.
Incidenti ndodhi rreth orës 1:30 të mëngjesit pranë hyrjes veriore të pronës. Pas urdhërit të sigurisë për të lënë armën dhe kanistrin, i riu ngriti pushkën në pozicion gatishmërie, duke detyruar një agjent të policisë së Qarkut Palm Beach dhe agjentët e Shërbimit Sekret të hapnin zjarr, duke neutralizuar rrezikun. Ai u shpall i vdekur në vendngjarje. Asnjë anëtar i forcave të sigurisë nuk u lëndua.
Gjatë një konference të shkurtër për shtyp, autoritetet treguan fotografi të pushkës së përdorur, por nuk dhanë informacione të tjera mbi identitetin e të riut, i cili do të identifikohet pas njoftimit të familjes.
FBI ka kërkuar nga banorët e zonës që të kontrollojnë pamjet nga kamerat e tyre të sigurisë për të ndihmuar hetimet.
Presidenti Trump nuk ndodhej në Mar-a-Lago në momentin e incidentit, pasi ishte në Uashington. Ky është rasti i fundit i një përplasjeje të armatosur pranë pronës së tij, ndërsa gjatë fushatës së vitit 2024, Trump ishte objekt i dy tentativave për vrasje, njëra në Pensilvani dhe tjetra në një fushë golfi në Floridë, ku një person humbi jetën.
SHBA vazhdon të jetë vendi me numrin më të madh të armëve private në botë, me një të rritur në tre që zotëron të paktën një armë, dhe një të rritur në dy që jeton në një shtëpi ku ka të paktën një armë.