Rënie e papritur e punësimit në SHBA, shtohen shqetësimet për tregun e punës

Amerika

Rënie e papritur e punësimit në SHBA, shtohen shqetësimet për tregun e punës

Më: 6 mars 2026 Në ora: 17:01
Foto ilustruese

Numri i vendeve të punës në ekonominë e Shteteve të Bashkuara ra muajin e kaluar, një tkurrje e papritur që ka ringjallur dyshimet nëse tregu amerikan i punës po nis të shfaqë shenja dobësimi.

Sipas të dhënave më të fundit zyrtare, numri i të punësuarve në sektorin jo-bujqësor u ul me 92 mijë, ndërsa norma e papunësisë u rrit në 4.4%. Shifrat surprizuan analistët, të cilët kishin parashikuar që ritmi i punësimit të mbetej i qëndrueshëm.

Kjo përbën rënien më të madhe mujore të vendeve të punës që nga tetori, kur qeveria federale e SHBA u përball me një mbyllje të përkohshme të aktivitetit. Zhvillimi vjen gjithashtu në një kohë kur ekzistojnë shqetësime se rritja e çmimeve të naftës, e nxitur nga lufta SHBA-Izrael në Iran, mund të kërcënojë rritjen ekonomike.

Pothuajse të gjithë sektorët regjistruan humbje vendesh pune, përfshirë edhe shëndetësinë, një sektor që zakonisht konsiderohet i qëndrueshëm. Ky sektor u godit muajin e kaluar nga grevat. Punësimi në administratën federale vazhdoi gjithashtu të bjerë, duke u tkurrur me 10 mijë vende pune gjatë muajit të fundit.

Që nga kulmi i arritur në tetor 2024, punësimi në qeverinë federale ka rënë me 330 mijë vende pune, ose rreth 11%, sipas Departamentit Amerikan të Punës.

Departamenti bëri të ditur gjithashtu se rritja e vendeve të punës në dhjetor dhe janar ishte më e ulët se sa ishte vlerësuar fillimisht.

Edhe nëse punësimi në sektorin e shëndetësisë rikuperohet, siç pritet, shifrat e fundit zbehin shpresat se punësimi mund të përshpejtohet pas ngadalësimit të vitit 2025, i cili ishte viti më i dobët për krijimin e vendeve të punës që nga periudha e pandemisë, tha Samuel Tombs, kryeekonomist për SHBA në Pantheon Macroeconomics.

“Çfarë stabilizimi?” shkroi ai në një analizë pas publikimit të të dhënave. “Ideja se tregu i punës ka kthyer faqe rrëzohet nga ky raport.”

Rënia e punësimit ndikoi menjëherë edhe në tregjet financiare, duke çuar në uljen e aksioneve në Wall Street dhe duke shtuar presionin politik ndaj presidentit amerikan Donald Trump, i cili kishte bërë fushatë me premtime për përmirësimin e ekonomisë.

Demokratët reaguan shpejt ndaj shifrave. Senatorja Elizabeth Warren deklaroi se ato tregojnë se Shtëpia e Bardhë po “rrënon tregun e punës”, ndërsa zyrtarët e administratës i minimizuan rëndësinë e tyre.

Në një intervistë për CNBC, drejtori i Këshillit Kombëtar Ekonomik, Kevin Hassett, tha se pret që rritja e fortë ekonomike të nxisë krijimin e vendeve të reja të punës në muajt në vijim.

“Do të ketë aq shumë aktivitet ekonomik sa që kushdo që dëshiron të punojë do të mund të gjejë një punë,” u shpreh ai.

Raporti i fundit e ndërlikon gjithashtu situatën për bankën qendrore amerikane, Rezervën Federale.

Në rrethana normale, dobësimi i tregut të punës do ta shtynte bankën qendrore të ulte normat e interesit për të nxitur ekonominë. Megjithatë, analistët paralajmërojnë se rreziku i një rritjeje të qëndrueshme të çmimeve të naftës, që mund të ushqejë inflacionin, mund t’i bëjë politikëbërësit më të kujdesshëm.

“Shifrat e sotme mund ta kenë vendosur Rezervën Federale mes dy zgjedhjeve të vështira,” tha Ellen Zentner, strategia kryesore ekonomike në Morgan Stanley Wealth Management.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat