Një valë e re sulmesh ndaj Iranit u shmang në momentet e fundit, sipas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili tha se ndërhyrja diplomatike e Arabisë Saudite, Katarit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe ishte vendimtare për të ndalur zhvillimet.
Duke folur të martën nga ambientet e Shtëpisë së Bardhë, ku po ndërtohet një sallë e re ceremoniale, Trump deklaroi se SHBA-ja ishte “vetëm një orë larg sulmit”.
Presidenti amerikan shtoi se Irani po kërkon një marrëveshje për të shmangur përshkallëzimin. “Ata po luten për një marrëveshje. Shpresoj të mos na duhet të shkojmë në luftë, por ndoshta do të duhet t’u japim një tjetër goditje të madhe”, tha ai.
Trump paralajmëroi gjithashtu se një veprim i ri ushtarak mbetet i mundur dhe se zhvillimet mund të ndodhin shumë shpejt.
Deklaratat e tij vijnë në një periudhë tensionesh të larta në Lindjen e Mesme dhe pas kontakteve intensive diplomatike mes vendeve të Gjirit dhe Uashingtonit për të shmangur një konflikt më të gjerë në rajon.